Utah i pandalshëm, në formë edhe Clippers e Brooklyn - Gazeta Express
string(51) "utah-i-pandalshem-ne-forme-edhe-clippers-e-brooklyn"

Utah i pandalshëm, në formë edhe Clippers e Brooklyn

Basketboll

Gazeta Express

16/02/2021 15:21

Los Angeles Clippers vijon momentin e mirë në kampionat, pasi ka marrë një tjetër fitore dhe tani është shumë pranë parakalimit të Lakers në renditjen e Konferencës së Perëndimit. Skuadra e drejtuar nga Tyronn Lue ia doli të triumfojë me shifrat 125-118 ndaj Miami Heat në “Staples Center” të Kalifornisë.

Fraksioni i parë dhe i tretë shkuan në favor të Miamit, ndërsa vendasit fituan pjesën e dytë dhe të katërt, por me rezultat shumë më të thellë, duke ia dalë të marrë suksesin e katërt radhazi dhe të 21-tin këtë sezon.

Lexo Edhe:

Marcus Morris ishte protagonist i padiskutueshëm i Clippers në suksesin e sotëm, pasi shënoi 32 pikë, rikuperoi tre topa dhe dha dy asiste, ndërsa për Miamin shkëlqeu Butler me 30 pikë, 10 asiste dhe 10 topa të rikuperuar.

Vijon të bëjë mirë ndërkohë Utah Jazz, që mori një tjetër sukses këtë herë me shifrat 134-123 në ndeshjen ndaj Philadelphia 76ers. Këta të fundit e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe fituan fraksionin e parë me shifrat 35-42, por më pas lëshuan terren dhe panë t’u përmbysej rezultati.

Basketbollisti australian i 76ers, Ben Simmons ishte më i miri i ndeshjes me 42 pikë të shënuara, 10 asiste dhe 10 topa të rikuperuar, ndërsa për vendasit e Jazz spikati Clarkson me 40 pikë të shënuara dhe një asist.

Një tjetër sfidë interesante ishte edhe ajo mes Washington Wizards e Houston Rockets, me vendasit që triumfuan me shifrat 131-119 dhe regjistruan suksesin e dytë radhazi. Kjo ishte humbja e 6 radhazi për Houston që është zhytur në krizë rezultatesh këtë sezon dhe në 27 ndeshje numëron 16 humbje e vetëm 11 fitore, ndërsa te Wizards është Beal që konfirmohet në formë mjaft të mirë dhe tërheq skuadrën me lojën e tij.

Mori fitoren e tretë radhazi edhe Brooklyn Nets, që ia doli të triumfojë me shifrat 125-136 në transfertën e “Golden 1 Arenës” ndaj Sacramento Kings. Irving ishte protagonist i Nets me 40 pikë, 4 asiste e tre rikuperime, ndërsa një ndeshje mjaft të mirë bëri edhe James Harden me 29 pikë, 13 rikuperime e 14 asiste.

Në sfidat e tjera, Chicago Bulls fitoi vetëm pas kohës shtesë ndaj Indiana Pacers me shifrat 112-120, ndërsa New York Knicks mposhti Atlanta Hawks me shifrat 123-112.