Urdhri i ri i Trumpit: Shtetet që i ndalojnë padrejtësisht amerikanët janë sponsore të terrorizmit - Gazeta Express
string(97) "urdhri-i-ri-i-trumpit-shtetet-qe-i-ndalojne-padrejtesisht-amerikanet-jane-sponsore-te-terrorizmit"

Lajme

Gazeta Express

06/09/2025 10:09

Urdhri i ri i Trumpit: Shtetet që i ndalojnë padrejtësisht amerikanët janë sponsore të terrorizmit

Lajme

Gazeta Express

06/09/2025 10:09

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parasheh shpalljen e shteteve që ndalojnë padrejtësisht shtetas amerikanë, si sponsore shtetërore të terrorizmit, përfshirë Iranin, Afganistanin, Rusinë dhe Kinën.

Zyrtarë të lartë të administratës kanë thënë para gazetarëve më 5 shtator se Uashingtoni do t’i shënjestrojë shtetet që mbajnë padrejtësisht amerikanë, si dhe ata që përfshihen në “diplomaci pengjesh”.

“Sikurse me listën e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit, asnjë shtet nuk do të ketë dëshirë të përfundojë në këtë listë”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio përmes një deklarate.

Urdhri parasheh masa të ashpra, përfshirë sanksionet, ndaj shteteve që Uashingtoni beson se po mbajnë gabimisht amerikanë.

Një zyrtar tjetër i lartë i administratës amerikane u ka thënë gazetarëve se masat ndëshkuese do të jenë të ngjashme me ato që vendosen ndaj organizatave që shpallen terroriste.

“Sot ndryshon gjithçka sa u përket regjimeve mashtruese dhe regjimeve që mendojnë se amerikanët mund të trajtohen si pengje”, ka thënë një zyrtar tjetër i administratës, në kushte anonimiteti.

Administrata amerikane ka thënë se ka siguruar lirimin e 72 shtetasve amerikanë, përfshirë prej vendeve sikurse Rusia dhe Afganistani.

“Kemi nxjerrë shumë njerëz dhe do të vazhdojmë”, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump më 5 shtator.

Sipas politikës së re, Uashingtoni do t’i paralajmërojë shtetet që mund të futen në listën e re dhe ato do të kenë një periudhë kohore që të veprojnë para se të vendosen sanksionet.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se besojnë që Rusia është duke mbajtur padrejtësisht nëntë amerikanë, ndërsa Irani tetë.

Rusia është nën sanksione tjera amerikane dhe evropiane lidhur me nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Irani është shpallur shtet sponsor i terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara dhe është nën sanksione amerikane.

Organizatat që lobojnë për lirimin e shtetasve amerikanë, që mbahen si pengje apo burgosen nëpër botë, e kanë mirëpritur vendimin e administratës Trump./REL/