Manchester United është nxitur të transferojë sulmuesin Brian Brobbey nga Sunderland, me ish-mbrojtësin e “Black Cats”, Matt Kilgallon, që e cilëson holandezin si një përforcim ideal për “Djajtë e Kuq”.
“Do të ishte një transferim i shkëlqyer”
Duke folur për GOAL, Kilgallon tha se një ofertë prej 50 milionë paundësh do të ishte e vështirë për Sunderlandin ta refuzonte.
“Brobbey do të ishte një transferim fantastik për Manchester United. Sunderland nuk mund ta refuzojë një ofertë të tillë. Ata do ta dyfishonin investimin dhe lojtari me siguri do të donte ta shfrytëzonte një mundësi si Manchester United”, u shpreh ai.
Shkëlqeu në sezonin e parë
Brobbey iu bashkua Sunderlandit në verën e vitit 2025 nga Ajax për 17 milionë paund dhe pati një sezon debutues shumë pozitiv.
Sulmuesi 24-vjeçar realizoi shtatë gola, përfshirë edhe golin vendimtar në derbin ndaj Newcastle, duke ndihmuar Sunderlandin të përfundonte në vendin e shtatë dhe të siguronte kualifikimin në Europa League.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, ndërsa ai aktualisht ndodhet me Holandën në Kupën e Botës 2026.
“Është një përbindësh”
Kilgallon nuk i kurseu elozhet për sulmuesin holandez, duke theksuar se ai është një nga qendërsulmuesit më të vështirë për t’u markuar në Premier League.
“Ai është një përbindësh. Lufton për çdo top, mban jashtëzakonisht mirë topin dhe nuk të lë të marrësh frymë si mbrojtës. Nuk shoh shumë sulmues me këto cilësi në futbollin e sotëm”, tha ish-mbrojtësi.
Sipas tij, Brobbey do të shënonte edhe më shumë gola nëse do të luante në një skuadër si Manchester United.

“Nëse ke pas vetes Bruno Fernandes dhe një ekip që kontrollon lojën, jam i bindur se Brobbey do të shënojë shumë gola”, shtoi ai.
Sunderland nuk ka presion për ta shitur
Brobbey ka kontratë me Sunderlandin deri në vitin 2030, ndaj klubi anglez nuk është i detyruar ta shesë këtë verë.
Megjithatë, interesimi i Manchester United dhe paraqitjet e sulmuesit në Kupën e Botës mund ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë për Sunderlandin që ta mbajë në skuadër edhe sezonin e ardhshëm. /GazetaExpress/
Klinika Trandevue ka lansuar ofertën e saj verore për të gjithë ata që dëshirojnë të rikthejnë flokët dhe vetëbesimin....