Ukraina dhe Hungaria kanë nisur takime ekspertësh për të diskutuar të drejtat e pakicës hungareze në rajonin Transkarpati të Ukrainës. Këto bisedime shënojnë një hap të parë për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pas viteve të tensionit që penguan anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Në takim morën pjesë ministri i Jashtëm ukrainas, përfaqësues të pakicës hungareze, Ministria e Arsimit dhe institucione të tjera lokale dhe akademike. Diskutimet fokusohen te tre çështjet kryesore: marrëdhëniet dypalëshe, të drejtat e pakicave dhe procesi i anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Çështja ka qenë problematike që prej miratimit të ligjit të 2017-s, që kërkon mësim në gjuhën ukrainase për shumicën e arsimit mbi klasën e pestë, duke u perceptuar nga Hungaria si diskriminim ndaj pakicës hungareze. Ndryshimet e fundit në ligjin për pakicat, miratuar në 2023, lejojnë përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe të BE-së në shkolla private, universitete, media dhe reklama politike, ndërsa mësimi i gjuhës ukrainase mbetet i detyrueshëm, shkruan EuroNews.
Ky proces konsiderohet kyç për heqjen e pengesave politike dhe përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE.