Ukraina dhe dialogu Kosovë – Serbi - Gazeta Express
string(32) "ukraina-dhe-dialogu-kosove-serbi"

OP/ED

Gazeta Express

14/11/2022 16:07

Ukraina dhe dialogu Kosovë – Serbi

OP/ED

Gazeta Express

14/11/2022 16:07

Shkruan: Martin Vulaj

Bota ka ndryshuar. Sulmi i Rusisë në Ukrainë nuk ka qenë befasi për ata që i ndjekin zhvillimet në sigurinë globale. Sipas strategut të njohur të gjeopolitikës, Peter Zeihan, pushtimi është hapi tjetër logjik në avancimin e sigurimit të zonave gjeografikisht të cenueshme që dikur mbaheshin nga Perandoria Sovjetike. Përballë rënies së demografisë që do ta bëjë atë të paaftë për të përballuar gjysmën e numrit të Ushtrisë së Kuqe aktuale në një dekadë apo më shumë, Putin ka të ngjarë të llogaritë se ai duhet të veprojë tani, veçanërisht pas zgjerimit të NATO-së deri në pragun e Rusisë, ose ta lërë Rusinë përgjithmonë të pambrojtur ndaj ushtrive pushtuese të së ardhmes.

Lexo Edhe:

Fakti se ndërhyrja ushtarake në Ukrainë pasohet me veprimet e Rusisë në Gjeorgji, Kazakistan dhe Krime është shumë më pak shqetësues se sa avancimi logjik që qartazi e synon. Nëse rusët kanë sukses në Ukrainë, hapat e ardhshëm të nevojshëm në sigurimin e këtij perimetri janë pushtimi i Moldavisë, Rumanisë lindore, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe, më alarmuesja, Poloninë veriore. Duke e parë këtë, kjo ka bërë botën perëndimore që të bëhet bashkë për ta ndalur Putinin në Ukrainë. Alternativa është një luftë e pashmangshme mes NATO-s dhe Rusisë, me të gjitha pasojat e dukshme, të zymta. NATO-ja është përgjigjur, ndër të tjera, me zgjerimin e sigurisë së saj në veri, me përfshirjen e Suedisë dhe Finlandës (e cila ndan një kufi të gjatë me Rusinë) dhe forcat e NATO-s në Kosovë e kanë për të qartë pozicionin e tyre, në rast të ndonjë ndërhyrjeje ushtarake të dorezës së Rusisë, Serbisë.

Bazuar në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në rrjetin e sigurisë së NATO-s de juro, jo vetën de facto, është në interesin më të madh të Kosovës, të kombit shqiptar dhe në çuarjen përpara të interesave të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo mund të arrihet vetëm më një rezolutë të suksesshme nga dialogu Kosovë – Serbi dhe e bën përfundimin e tij të suksesshëm shumë më urgjent.  

Roli i Evropës në dialog është i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Fjala e BE-së nuk vlen më për shkak se sfidat e brendshme e kanë ndalur (jo zvarritur) zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe, më e rëndësishmja, shumë ekspertë gjeopolitikë, si Zihan dhe George Friedman pajtohen që, me gjasë nuk do të ketë një BE në të ardhmen jo shumë të largët. Tashmë e kemi parë Brexit-in dhe lëvizjet tektonike në Itali dhe Spanjë. Ne tashmë e shohim se borxhi i shumë prej anëtarëve të BE-së në raport me GDP-në mund të nënkuptoj fundin e Euros dhe jo shumë gjatë pas kësaj, fundin e BE-së. Kjo do t’i binte kthimin në shtetet-kombe të Evropës, ku një Francë demografikisht stabile lufton për mbizotërim kundër një Gjermanie të sfiduar demografikisht. E ardhmja jonë duhet të mbështetet në NATO dhe, veçanërisht, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Urgjenca e përfundimit të suksesshëm të dialogut është e rëndësishme për arsyet që janë të dukshme, por edhe për arsyet që mund të dihen më pak. Rezultati i mundshëm dhe i nevojshëm (veçanërisht duke pasur parasysh rënies demografike) i lëvizjes së Rusisë do të jetë shumë më i vogël dhe dobësimi i Rusisë deri në shkallën ku ajo më nuk do të jetë fuqi botërore, por rajonale. Serbia, që gjithmonë ka luajtur me Lindjen, kundër Perëndimit, do të ketë faktorë të rinj t’i konsiderojë në kalkulimet e saj dhe do të përpiqet t’i forcojë raportet me Evropën. Si një forcë udhëheqëse ekonomike dhe ushtarake në Ballkan, Serbia do t’i gjejë duart e shtrira të aleatëve historikë. Kjo domosdoshmërish dobëson pozitën shqiptare përgjithësisht në Evropë dhe me aleatët specifikisht.

Duke e pasur parasysh këtë, shqiptarët duhet të punojnë zellshë, për ta konsoliduar pozitën e tyre politike, ekonomike dhe ushtarake. Kjo nuk mund të bëhet pa një përfundim të suksesshëm të këtij dialogu. Që kjo të ndodhë realisht, vlera strategjike e një përfundimi ku Kosova është gati të anëtarësohet në NATO dhe përfundimisht të bashkohet me Shqipërinë duhet të ketë përparësi ndaj konsideratave të tjera që, megjithëse të rëndësishme, janë të zbehta në krahasim.