Një mashtrues 26-vjeçar nga Maqedonia u paraqit në mënyrë të rreme si mjek dhe mori 270 mijë euro nga tetë familje nga Kroacia, përcjell Gazeta Express nga media kroate Dnevnik.hr.
Ai shfrytëzoi frikën më të madhe të një prindi – humbjen e mundshme të një fëmije, shpjegon policia.
“Në anën tjetër të telefonit, një person prezantohet si mjek i cili thotë: ‘Fëmija juaj është në rrezik. Ka ndodhur një tragjedi ose aksident i madh. Nevojiten para për këtë operacion të vështirë’”, tha Marija Goati, zëdhënëse e Departamentit të Policisë së Zagrebit, duke shtuar se prindërit u dëmtuan me më shumë se 270,000 euro.
Në vend të një mjeku, në anën tjetër të telefonit ishte një mashtrues 26-vjeçar, shtetas i Maqedonisë, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi të shpejtë penal.
Oda e Mjekëve të Familjes së Kroacisë u ka bërë thirrje pacientëve të mos bien pre e mjekëve të rremë që u vijnë në pragun e derës.