Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se do të ruhet bllokada detare ndaj Iranit deri në arritjen e një marrëveshjeje për programin e tij bërthamor, në deklaratat e tij për rrjetin televiziv izraelit Channel 12.
Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin masat kufizuese ndaj Teheranit, duke vlerësuar se bllokada detare është një mjet më efektiv presioni sesa sulmet ushtarake.
“Është më efektive se bombardimet”, u shpreh ai, duke shtuar se ekonomia iraniane “po mbytet”.
Ai shtoi gjithashtu se Teherani po kërkon me urgjencë arritjen e një marrëveshjeje për të hequr bllokadën, ndërsa paralajmëroi për pasoja serioze në sektorin energjetik të vendit.
Sipas tij, infrastruktura energjetike e Iranit mund të “shembet së shpejti” nëse eksporti i naftës mbetet i bllokuar.
Sipas rrjetit izraelit, deklaratat e presidentit amerikan përbëjnë një refuzim të propozimit iranian të paraqitur më herët gjatë kësaj jave në SHBA, i cili parashikonte arritjen fillimisht të një marrëveshjeje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare, duke shtyrë ndërkohë bisedimet për çështjen bërthamore për një fazë të mëvonshme. /Panorama