Donald Trump deklaroi se do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara kryesisht për shkak të respektit që ka për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Trump e bëri të qartë se, nëse samiti do të organizohej në një vend tjetër, me shumë gjasa ai nuk do të merrte pjesë. Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, kreu i shtetit amerikan e cilësoi Turqinë si një nga fuqitë më të rëndësishme ushtarake të NATO-s, duke theksuar se kapacitetet e saj shpesh nuk vlerësohen sa duhet.
Ai përmendi rezervat e mëdha të pajisjeve ushtarake që zotëron vendi, si dhe bashkëpunimin e gjatë në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.
“Besoj se nuk do të shkoja nëse samiti nuk do të mbahej në Turqi. Por kam respekt për presidentin Erdogan, ndaj do të marr pjesë”, tha Trump.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, këto komente pasqyrojnë marrëdhëniet e afërta personale mes Trumpit dhe Erdoganit, në një periudhë kur roli strategjik dhe ndikimi rajonal i Turqisë brenda NATO-s po forcohet.
Presidenti amerikan la të kuptohet gjithashtu se mund të ndërmarrë një veprim që do ta kënaqte shumë Ankaranë, kur u pyet për kërkesën turke lidhur me avionët luftarakë F-35 dhe motorët reaktivë, si dhe nëse do të udhëtonte atje “me një çantë të madhe dhuratash”. Samiti i NATO-s në Ankara është parashikuar të mbahet në datat 7 dhe 8 korrik.