Futbollisti i Arsenalit, Leandro Trossard, është në bisedime të avancuara për një kontratë të re, dhe të gjitha palët janë tashmë optimiste për arritjen e një marrëveshjeje.
Trossard, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, ka qenë në diskutime me klubin që nga janari, ndërkohë që ka pasur interesim edhe nga Arabia Saudite. Megjithatë, procesi është përshpejtuar javët e fundit dhe burime të shumta tregojnë se marrëveshja është shumë afër përfundimit me sukses.
Drejtori sportiv Andrea Berta, i cili iu bashkua klubit muajin e kaluar, ka udhëhequr raundin e fundit të bisedimeve. Kuptohet se Trossard i ka bërë me dije Arsenalit se prioriteti i tij është të qëndrojë në “Emirates Stadium”.
Belgu është kthyer në një lojtar kyç për skuadrën e Mikel Artetës që nga ardhja e tij nga Brighton në vitin 2023, duke zhvilluar 123 ndeshje dhe shënuar 28 gola në të gjitha garat.