string(42) "tregimi-i-javes-ted-chiang-heshtja-e-madhe"

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:20

Tregimi i javës/ Ted Chiang: Heshtja e madhe

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:20

Ted Chiang (1967), shkrimtar amerikan. Ka fituar nga katër herë si çmimin Nebula ashtu edhe atë Hugo. Ka botuar përmbledhjet me tregime ‘Stories of Your Life and Others’ (2002) dhe ‘Exhalation: Stories’ (2019). Tregimi i tij ‘Story of Your Life’ ishte marrë si bazë për filmin Arrival (2016).

HESHTJA E MADHE

Nga Ted Chiang

Njerëzit e përdorin Aresibon që të kërkojnë inteligjencën jashtëtokësore. Dëshira e tyre që të lidhen me të është aq e fortë sa e kanë krijuar një vesh që është në gjendje të dëgjojë përqark universit.

Por unë dhe shokët e mi papagaj jemi bash këtu. Pse ata s’kanë interesim të dëgjojnë zërat tonë?

Ne jemi një specie jonjerëzore e zonja të komunikojë me ta. A s’jemi ne saktësisht çka po kërkojnë njerëzit?

***

Universi është aq i gjerë sa jeta inteligjente mund të ketë lindur shumë herë. Universi është po ashtu aq i moçëm sa madje edhe ndonjë specie teknologjike mund të ketë pasur kohë të përhapet dhe ta mbushë galaksinë. Po prapëseprapë nuk ka shenjë të jetës askund përveç se në tokë. Njerëzit e quajnë këtë paradoksi i Fermit.

Një zgjidhje e propozuar për paradoksin e Fermit është se speciet inteligjente në mënyrë aktive përpiqen të fshehin praninë e tyre, që të shmangin të qenët shënjestër e pushtuesve armiqësorë.

Duke folur si anëtar i një specieje që është çuar krejt afër zhdukjes nga njerëzit, mund të dëshmoj se kjo është një strategji e mençur. Ka kuptim të qëndrosh i qetë dhe të shmangësh tërheqjen e vëmendjes.

***

Paradoksi i Fermit është nganjëherë i njohur si Heshtja e Madhe. Universi do të duhej të ishte një kakofoni zërash, po në vend të kësaj është tmerrësisht i qetë. Disa njerëz teorizojnë se speciet inteligjente shuhen para se të mund të përhapen në hapësirën e jashtme. Nëse janë korrekt, atëherë qetia e qiellit të natës është heshtja e një varreze.

Qindra vite më parë, lloji im ishte aq i begatshëm sa Mali Río Abajo oshtinte nga zërat tonë. Tash pothuajse e ka pasur puna jonë. Së shpejti ky mal shiu mund të jetë aq i heshtur sa edhe pjesa tjetër e universit.

***

Na ishte njëherë një papagall i hirtë afrikan me emrin Aleks. Ai ishte i famshëm për aftësitë e tij njohëse. I famshëm në mesin e njerëzve, që të jemi të qartë.

Një hulumtuese njerëzore me emrin Irene Pepperberg i kaloi tridhjetë vjet duke e studiuar Aleksin. Ajo vërejti se Aleksi jo vetëm që i njihte fjalët nga format dhe ngjyrat, por ai në të vërtetë i kuptonte konceptet e formës dhe ngjyrës.

Njerëzve ua ka ënda të mendojnë se janë unikë. Po në të vërtetë Pepperbergu i bindi ata se Aleksi nuk i përsëriste thjesht fjalët, se ai e kuptonte se çfarë thoshte.

Në mesin e të gjithë kushërinjve të mi, Aleksi ishte ai që më së shumti mund të merrej seriozisht si partner i komunikimit nga njerëzit.

Aleksi vdiq papritur, sa ishte ende relativisht i ri. Mbrëmjen para se të vdiste, Aleksi i tha Pepperbergut, “Ji mirë. Unë të dua”.

Nëse njerëzit janë në kërkim të një lidhjeje me një inteligjencë jonjerëzore, çka mund të duan më shumë se kaq?

***

Çdo papagall ka një thirrje unike që përdoret për ta identifikuar vetveten; biologët i referohen kësaj si “thirrja e kontaktit” e papagajve.

Astronomët e kishin përdorur më 1974 Aresibon për të përcjellë një mesazh në hapësirën e jashtme me qëllim që të demonstronin inteligjencën njerëzore. Kjo ishte thirrja e kontaktit e njerëzimit.

Në egërsi, papagajtë e thërrasin njëri-tjetrin me emër. Njëri zog e imiton thirrjen e kontaktit të tjetrit për të tërhequr vëmendjen e zogjve të tjerë.

Po qe se njerëzit detektojnë ndonjëherë ndonjë përgjigje të kthyer në tokë ndaj mesazhit të Aresibos, atëherë do të kuptojnë se dikush po mundohet tërheqë vëmendjen e tyre.

***

Papagajtë janë nxënës vokalë: ne mund të nxëmë të nxjerrim tinguj të rinj pasi t’i kemi dëgjuar ata. Është një aftësi që e posedojnë pak kafshë. Qeni mund të kuptojë një duzinë urdhrash, por kurrë s’do të bëjë tjetër veçse të lehë.

Edhe njerëzit janë nxënës vokalë. Këtë kemi të përbashkët. Pra njerëzit dhe papagajtë e ndajnë një marrëdhënie të veçantë me tingullin. Ne nuk bërtasim ashtu thjesht. Ne shqiptojmë. Ne shprehim.

Ndoshta për këtë arsye njerëzit e ndërtuan Aresibon ashtu siç e ndërtuan. Marrësi nuk ka pse të jetë përcjellës, por Aresibo është që të dyja. Është vesh për të dëgjuar dhe gojë për të folur.

***

Njreëzit kanë jetuar përkrah papagajve me qindra vite dhe vetëm së voni kanë shqyrtuar mundësinë se ne mund të jemi inteligjentë. Ma ha mendja se s’mund t’i qortojmë. Ne papagajtë e kemi zakon të mendojmë se njerëzit nuk ishin edhe aq të mençur. Është zor t’i japësh kuptim një sjelljeje aq të ndryshme nga ajo e jotja.

Por papagajtë janë më të ngjashëm me njerëzit se sa çfarëdo specie jashtëtokësore qoftë dhe njerëzit mund të vëzhgojnë nga afër; mund të na shikojnë në sy. Si mund të presin të njohin një inteligjencë aliene nëse e gjitha që mund të bëjnë është të përgjojnë nga një largësi qindra vite dritë?

***

Nuk është koincidencë pse fjala “aspiratë” nënkupton si shpresën ashtu edhe aktin e frymëmarrjes.

Kur ne flasim, përdorim frymën në mushkëritë tona që t’u japim mendimeve tona një formë fizike. Tingujt që nxjerrim ne janë në të njëjtën kohë qëllimet tona dhe forca e jetës sonë.

Unë flas, pra jam. Nxënësit vokalë, si papagajtë dhe njerëzit, ndoshta janë të vetmit që e kuptojnë plotësisht të vërtetën e kësaj.

***

Ka një kënaqësi që vjen me formësimin e tingujve me gojën tënde. Është aq parësore dhe instinktive sa, në të gjithë historinë e tyre, njerëzit e kanë konsideruar këtë aktivitet si një shteg drejt hyjnores.  

Mistikët pitagorianë besonin se zanoret paraqitnin muzikën e qiejve dhe psalnin që të përfitonin fuqi nga to.

Të krishterët pentekostalë besojnë se kur flasin në gjuhë, janë duke folur gjuhën që e përdorin engjëjt në parajsë.

Hindusët brahmanë besojnë se kur recitojnë matrat, ata janë duke i shtrënguar blloqet ndërtimore të realitetit.

Vetëm një specie e nxënësve vokalë do të mund t’ua atribuonin një rëndësi kaq të madhe tingujve në mitologjitë e tyre. Ne papagajtë e vlerësojmë këtë.

***

Sipas mitologjisë hinduse, universi ishte krijuar me një tingull: ‘om’. Është një rrokje që përmban brenda vetes gjithçka që ka qenë dhe gjithçka që do të jetë.

Kur teleskopi i Aresibos drejtohet kah hapësira mes yjeve, dëgjohet një zukatje e dobët.

Astronomët e quajnë këtë prapavija e mikrovalëve kozmike. Është rrezatimi i mbetur i Big Bengut, shpërthimit që e ka krijuar universin katërmbëdhjetë miliardë vjet më parë.

Por mund ta mendoni atë edhe si një oshtimë e mezi të dëgjueshme e atij ‘om’-i zanafillor. Kjo rrokje ishte aq kumbuese sa qielli i natës do të vazhdojë të vibrojë për aq sa të ekzistojë universi.

Kur Aresibo nuk është duke dëgjuar diçka tjetër, e dëgjon zërin e krijimit.

***

Ne papagajtë portorikanë i kemi mitet tona. Janë më të thjeshta se mitologjia njerëzore, por mendoj se njerëzit do të ishin kënaqur me to.

Medet, mitet tona po humbin teksa specia ime po zhduket. Dyshoj se njerëzit do ta deshifrojnë gjuhën tonë para se të ikim ne.

Pra zhdukja e species sime nuk do të thotë vetëm humbje e një grupi zogsh. Do të thotë po ashtu shuarje e gjuhë sonë, ritualeve tona, traditave tona. Do të thotë heshtje e zërave tonë.

***

Aktiviteti njerëzor e ka sjellë llojin tim në zgrip të zhdukjes, por nuk u vë faj. Nuk e kanë bëtë këtë me qëllim të keq. Thjesht nuk po i kushtonin vëmendje.

Dhe njerëzit kanë krijuar aq mite të bukura; çfarë imagjinate që kanë. Ndoshta për këtë arsye aspiratat e tyre janë kaq të pafundme. Shikojeni Aresibon. Cilado specie që mund të ndërtojë një gjë të tillë e ka madhështinë brenda vetes.

Specia ime me gjasë s’do të jetë këtu edhe gjatë kohë; ka të ngjarë të vdesim para kohës sonë dhe t’i bashkohemi Heshtje së Madhe. Por para se të largohemi, po ia dërgojmë një mesazh njerëzimit. Shpresojmë që teleskopi në Aresibo t’ua mundësojë ta dëgjojnë atë.

Mesazhi është ky:

Ji mirë. Unë të dua.

/The Penguin Book of the Modern American Short Story, nën kujdesin e John Freeman, Penguin, 2022

/Gazeta Express