Tre të rinj i çuan brenda, 11 autobusë me rreth 600 udhëtarë janë të bllokuar - kosovari tregon për situatën në kufirin Serbi-Kroaci - Gazeta Express
string(129) "tre-te-rinj-i-cuan-brenda-11-autobuse-me-rreth-600-udhetare-jane-te-bllokuar-kosovari-tregon-per-situaten-ne-kufirin-serbi-kroaci"

Lajme

Gazeta Express

17/04/2024 9:26

Tre të rinj i çuan brenda, 11 autobusë me rreth 600 udhëtarë janë të bllokuar – kosovari tregon për situatën në kufirin Serbi-Kroaci

Lajme

Gazeta Express

17/04/2024 9:26

Shoferi i njërit prej autobusëve që është bllokuar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë ka treguar për Gazetën Express për situatën atje. Ai tha se aktualisht të bllokuar janë 11 autobusë me rreth 600 udhëtarë.

Kosovari që deshi të mbetet anonim për shkak të sigurisë, tha që pala serbe ua ka marrë mbrëmë dokumentet si zakonisht mbrëmë në mesnatë dhe se të njëjtët nuk ua ka kthyer ende.

Lexo Edhe:

“Absolutisht hiç. Veç na i kanë marrë dokumentet. I kanë skanuar sikur herët e tjera dhe si kanë kthyer më mbrapa. Na kanë thënë parkoni atje para mjetet. Prej orës 12 mbrëmë në mesnatë nuk na i kanë kthyer ato”, tha ai kur u pyet se a kanë marrë sqarime për mbajtjen e dokumenteve të tyre nga policia serbe.

Qytetari që po pret në kufi, tha se ka qenë dëshmitarë kur tre udhëtarë të njërës prej kompanive të autobusëve janë marrë dhe janë dërguar brenda.

“Prej kompanisë Zhitia Raisen, i morën tre udhëtarë, tre djem të rinj dhe i çun atje brenda. I banën rreth dhe i futën brenda aty. Janë  bllokuar 11 autobusë, përafërsisht janë 600 qytetarë”, tha tutje ai.

Për këto deklarata ai dërgoi tek Gazeta Express edhe një video nga vendi i ngjarjes.

Për këtë ngjarje sot është deklaruar edhe sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli. Ai tha se nga mesnata Serbia po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë.

Haxholli tha se kjo po ndodh “në hakmarrje dhe nervozizëm absurd” nga votimi i mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Shpjegimi nga autoritetet serbe, siç thotë Haxholli, është se për këtë ka urdhëruar Beogradi.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi'”, shkroi ai.

Haxholli thotë se po planifikon të niset personalisht drejt pikëkalimit kufitar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë ku po mbahen të bllokuar udhëtarët kosovarë.

“Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljës së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, shkroi Haxholli. /Gazeta Express/