Trampat e Përparim Ramës me toka, çfarë thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal dhe si u arsyetua kryetari - Gazeta Express
string(104) "trampat-me-toka-te-perparim-rames-cfare-thuhet-ne-vendimin-e-kuvendit-komunal-dhe-si-u-arsyetua-kryetari"

Lajme

Gazeta Express

19/01/2024 15:28

Trampat e Përparim Ramës me toka, çfarë thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal dhe si u arsyetua kryetari

Lajme

Gazeta Express

19/01/2024 15:28

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim ta ndërrojë një pronë të saj me sipërfaqe rreth 20 hektarë që gjendet në zonën Prishtina e Re me disa prona me sipërfaqe të përgjithshme rreth 8 hektarë që gjenden në Badoc. Këmbimi i pronave do të bëhet me dy ish-klientë të Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, biznesmenët Rrahman Haradini dhe Shaban Konxheli. Propozimi i Ramës ka kaluar me ndihmën e asamblistëve të VV’së, të cilët kanë bërë kuorumin duke qëndruar në sallë. Rama ka reaguar sot duke thënë se do të këmbehet një pjesë e pronës 20 hektarëshe e jo e gjitha, derisa tha se vendimi e ka ligjshmërinë e MAPL’së.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Në mbledhjen e fundit për vitin 2023, Kuvendi komunal i Prishtinës ka miratuar një vendim për këmbimin e një prone të komunës që ndodhen në zonën Prishtina e Re, me disa parcela në zonën e Badocit. Propozimi për këmbim ka qenë i Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

“Miratohet propozimi i Kryetarit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, me pronën e paluajtshme në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit”, thuhet në vendim.

Ky vendim ka ngjallur dyshime, meqë pronarë të parcelave me të cilët komuna do të këmbejë pronat, janë dy ish-klientë të Ramës, biznesemenët Rrahman Haradini dhe Shaban Konxheli. Para tre vitesh në parcelën e dy biznesmenëve planifikohej të ndërtohej një lagje, por që projekti ishte anuluar meqë Lumir Abdixhikut, i cili në atë kohë ishte Ministër i Mjedisit dhe Infrastrukturës, kishte anuluar vendimet që lejonin ndërtime në atë zonë. Hartues i projektit për këto ndërtime ishte pikërisht Rama.

Pjesa tjetër e dyshimtë e këtij vendimi është edhe dallimi i madh në sipërfaqe i parcelave, për të cilat është marrë vendim të ndërrohen. Prona e komunës që do t’u kalojë dy biznesmenëve është në sipërfaqe rreth 21 hektarë, derisa sipërfaqja e përgjithshme e parcelave që do të marrë komunë në këmbim është tetë hektarë. Në pronën që do të jap Komuna e Prishtinës lejohet ndërtimi deri në gjashtë kate, e në atë të Badocit nuk lejohet ndërtimi.

Në vendimin e Kuvendit Komunal thuhet se këmbimi i pronave me dy biznesmenët është bërë për shkak të realizimit të Planit rregullues “Prishtina e Re – Zona Qendër”, i miratuar me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të datës 2 tetor të vitit 2013.

“Mënyra dhe kushtet e këmbimit të pronës së paluajtshme do të përcaktohen me kontratë, e cila lidhet dhe nënshkruhet në mes të Kryetarit të Komunës dhe pronarit të parcelës kadastrale që do të këmbehen.”, thuhet tutje në vendim.

Propozimin për këtë këmbim, Rama e ka bërë duke u thirrur në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, të datës 22 dhjetor 2020. Në atë kohë, Ministër ka qenë Blerim Kuqi.

Në vendim thuhet se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kishte dhënë pëlqimin për këmbim.

“Propozimi për inicimin e këmbimit të parcelës/ ave të tokës me pronarët e cekur në pikën II, është bërë për shkak të realizimit të Planit rregullues “Prishtina e re – Zona qendër”, i miratuar me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës dhe Përgjigja nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit…”, thuhet në vendim.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Komunës së Prishtinës për të marrë vesh vlerën e pronës së Komunës së Prishtinës dhe parcelat e biznesmenëve me të cilat do të këmbehet, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Rama: Vendimi ka marrë ligjshmërinë nga MAPL’ja

Vetë Rama ka dalë sot me një reagim. Rama ka thënë se nuk qëndrojnë raportimet se prona 8 hektarëshe e pronarëve privat do të këmbehet me pronën rreth 20 hektarëshe të Komunës së Prishtinës, por vetëm me një pjesë të saj. Këtë pjesë ka thënë se e përcakton Ministria e Financave.

“Dua të sqaroj për qytetarët se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, i cili vendim ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e specifikon që prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një PJESË të pronës rreth 20 hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media. Këtë PJESË të vlerësimit të pronave, nuk e përcaktoj as unë si Kryetar e as Kuvendi i Kryeqytetit, por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara me legjislacion”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se Komuna do ta bëjë ekzekutimin e vendit, bazuar në vlerësimin final që do ta marrë nga Ministria e Financave.

“Komuna e Prishtinës  ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave”, ka shkruar Rama.

VV’ja ia bëri kuorumin Ramës

Miratimin e propozimit të Ramës e kanë mundësuar asamblistët e Vetëvendosjes, duke qëndruar në sallë në momentin kur propozimi ishte hedhur në votim.

Nga kjo parti s’e kanë mohuar se e kanë bërë kuorumin, derisa kanë thënë se atë ditë kanë potencuar dyshimet për shkeljet në këtë rast.

“Për të sqaruar opinionin në lidhje me një kronikë televizive të shfaqur sonte ku asambleistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! fajësohen pse kanë qëndruar në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ju ftojmë ta ndiqni debatin që në emër të grupit e ka bërë asambleistja Nora Kelmendi. Atë ditë i kemi potencuar të gjitha dyshimet tona për shkelje në këtë rast. Nuk e kemi përkrahur dhe kemi thënë së është material për prokurori. Krejt kjo tendencë për ta fajësuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! bëhet për ta larguar vëmendjen nga skandali i sotëm me kulmin e ndërtesës së komunës”, thuhet në postim.