Tottenhamit i është ofruar mundësia për të transferuar Rafael Leaon, pasi trajneri i ri i AC Milanit, Ruben Amorim, thuhet se nuk e sheh më anësorin portugez si pjesë të planeve të tij.
Klubi italian është i gatshëm ta shesë sulmuesin gjatë kësaj vere, duke hapur mundësinë për një transferim të madh në Premier League.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Milani ka vendosur të ndahet me Leaon dhe ia ka ofruar Tottenhamit mundësinë për ta transferuar. Pas një sezoni të vështirë, ku kuqezinjtë përfunduan në vendin e pestë, klubi është nën presion financiar dhe kërkon të sigurojë të ardhura nga shitjet.

Trajneri i ri, Ruben Amorim, nuk e konsideron Leaon pjesë të projektit të tij. Portugezi kaloi një sezon zhgënjyes 2025/26, duke shënuar 10 gola në 31 paraqitje në kampionat, ndërsa shpesh u përball edhe me fishkëllima nga tifozët e Milanit. Megjithatë, bilanci i tij i përgjithshëm me klubin italian mbetet i rëndësishëm, me 80 gola në 291 ndeshje.
Milani kërkon të paktën 60 milionë euro për një transferim të përhershëm, por mund të pranojë edhe një huazim me detyrim blerjeje për 70 milionë euro.
Leao e ka shprehur më herët dëshirën për t’u larguar nga Italia, duke pranuar se futbolli anglez do t’i përshtatej më shumë stilit të tij. Ai kishte deklaruar për “Sport TV” se ndiente se mund të bënte diferencën, por mënyra se si luante skuadra nuk e vendoste në pozitën e duhur për ta bërë këtë. Sipas tij, Premier League ose La Liga do ta ndihmonin më shumë për të treguar cilësitë e tij.

Anësori pati vështirësi edhe nën drejtimin e Massimiliano Allegrit, i cili shpesh e përdori në një rol qendror, jo natyral për të. Leao ka pranuar se i pëlqejnë Manchester United dhe Arsenal, por për momentin Tottenham duket opsioni më realist.
Një kalim te Spurs mund t’i japë Leaos mundësinë për të rinisur karrierën dhe për të rikthyer besimin. Roberto De Zerbi po ndërton një sistem ambicioz në Londër, ku sulmuesit që shfrytëzojnë hapësirat kanë rol kyç — diçka që përputhet mirë me karakteristikat e portugezit.
Leao iu bashkua Milanit nga Lille në vitin 2019 për 49.5 milionë euro, pasi më parë ishte larguar nga Sportingu drejt Francës.
Para se të zgjidhë të ardhmen e tij në nivel klubesh, Leao është i fokusuar te Portugalia në Kupën e Botës 2026. Ai ka bërë tri paraqitje si zëvendësues në fazën e grupeve dhe ka shënuar një gol, ndërsa tani përgatitet për përballjen me Kroacinë në raundin e 32 më të mirave. Fituesi i këtij dueli do të përballet me Spanjën në 1/8 e finales. /GazetaExpress/
Fluturime nga Baseli për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...