Thiago Silva ende pa klub: Wolfsburgu e tenton goditjen surprizë pas rënies nga Bundesliga - Gazeta Express
string(89) "thiago-silva-ende-pa-klub-wolfsburgu-e-tenton-goditjen-surprize-pas-renies-nga-bundesliga"

Sport

Gazeta Express

27/05/2026 11:27

Thiago Silva ende pa klub: Wolfsburgu e tenton goditjen surprizë pas rënies nga Bundesliga

Sport

Gazeta Express

27/05/2026 11:27

E ardhmja e Thiago Silvas mund të jetë sërish në Gjermani.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat gjermane, Wolfsburgu po e shqyrton mundësinë për ta transferuar veteranin brazilian me parametër zero, menjëherë pas rënies dramatike të klubit në Bundesliga 2.

Klubi gjerman po përgatitet për një revolucion të madh pas sezonit katastrofik që përfundoi me rënien e parë nga Bundesliga në historinë e Wolfsburgut.

Drejtuesit e klubit po kërkojnë figura me eksperiencë dhe personalitet për ta rindërtuar skuadrën, ndërsa emri i Thiago Silvës ka dalë si një nga objektivat më surprizues të “pazarit”.

Mbrojtësi brazilian, i cili aktualisht është 41 vjeç, do të largohet nga Porto pas një aventure gjashtëmujore në Portugali.

Ai iu bashkua klubit portugez në janar dhe i zhvilloi tetë ndeshje në pjesën e dytë të sezonit, duke kontribuar në fitimin e titullit kampion në Liga Portugal.

Sipas “Kicker”, kontaktet mes palëve janë ende në fazat e para, por Wolfsburgu po tenton seriozisht ta bindë brazilianin të bëhet lideri i projektit të ri në Bundesliga 2, përcjell “Gazeta Express”.

Megjithatë, në Gjermani ekziston skepticizëm nëse Silva do të pranojë të luajë në kategorinë e dytë gjermane.

Thiago Silva mbetet një nga mbrojtësit më të dekoruar të brezit të tij.

Në karrierën e tij ai i ka veshur fanellat e klubeve si Milan, Paris Saint-Germain, Chelsea dhe Porto, ndërsa me kombëtaren e Brazilit i ka zhvilluar 113 ndeshje dhe i ka shënuar shtatë gola.

Interes për veteranin brazilian kanë shfaqur edhe ish-klubet e tij Milan dhe Chelsea.

Klubi londinez, sipas mediave angleze, po mendon t’ia ofrojë një rol në stafin teknik sapo ai të vendosë t’i japë fund karrierës si futbollist.

Aktualisht, Silva është duke e ndjekur kursin për licencën UEFA A në Skoci.

Nga ana tjetër, Wolfsburgu po përballet me një verë të komplikuar.

Pas rënies nga Bundesliga, klubi pritet ta reduktojë buxhetin nga 80 në 55 milionë euro dhe disa lojtarë të rëndësishëm mund të largohen gjatë afatit kalimtar të verës.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit po kërkojnë profile me eksperiencë që mund ta ndihmojnë skuadrën në rikthimin e menjëhershëm në elitën e futbollit gjerman. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement