Një person ka mbetur i lënduar pas një incidenti që ka ndodhur sot në rrugën “Metush Krasniqi” në Fushë Kosovë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për RTKLive se rasti është raportuar rreth orës 15:40, ndërsa një person i dyshuar është arrestuar lidhur me ngjarjen.
“Sot rreth orës 15 :40, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën Metush Krasniqi në Fushë Kosovë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka arrestuar një person të dyshuar lidhur me këtë rast. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë janë duke punuar për sqarimin e rrethanave të këtij rasti”, tha ajo.