Tërmeti që shkundi politikën - Gazeta Express
string(28) "termeti-qe-shkundi-politiken"

Tërmeti që shkundi politikën

Gazeta Express

28/11/2019 11:00

Qytetarët nga Kosova dhe jo vetëm iu dhanë leksion politikanëve se si duhet bashkuar e bashkëpunuar në ditë tragjedish, si tërmeti në Shqipëri. Ata e nxorën kastën politike këndej e andej kufirit ashtu çfarë është – hipokrite, egoiste e inatçore. Ndërkaq arrogancës së Edi Ramës iu përgjigjën me solidarizim të pashoq.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Ra tërmeti në Shqipëri dhe doli sheshazi mënyra se si funksionon politika shqiptare këndej e andej kufirit. Ra tragjedia e dhimbja dhe u shfaq haptas ndasia e hipokrizia e njerëzve që udhëheqin të dyja vendet, qasja egoiste e inatçore e tyre.

Përtej inateve e interesave personale të kastës politike, qytetarët iu dhanë leksion atyre se si duhet bashkuar e bashkëpunuar në ditë tragjedish. Por, politikanët e mbrapshtë nuk është se nuk u sollën ashtu siç vetëm ata dinë – edhe kur nuk duhet.

Ditën e tragjedisë Ramush Haradinaj nuk i telefonoi homologut të tij Edi Ramës, por presidentit Ilir Meta. Hashim Thaçi, që do të duhej të komunikonte me Ilir Metën, bisedoi me Edi Ramën. Kështu nuk ndodh në vende normale, me politikanë normalë. Kështu ndodh ndërmjet udhëheqësve që qeverin me mendësi fisi, e jo shteti.

Ndërkohë Edi Rama nuk e shmangu as në ditë tragjedie arrogancën e tij, që e nisi me atë që e nervozon dhe për të cilën, me të drejtë, kritikohet më së shumti – taksën e shumëpërfolur të Rrugës së Kombit. Ai vazhdon të mbajë ligjërata për “patriotin modern” që nëpërmjet pagesës së taksave ndërton dhe mban shtetin.

E vërtetë. Shqipëria e ka të drejtën e plotë që të vendos tarifa për shfrytëzimin e rrugës së ndërtuar me para publike të shqiptarëve. Këtë e kanë parasysh edhe qytetarët e Kosovës. Por ata vetëm kërkojnë që tarifa të jetë më e ulët, gjë që Rama e kundërshton.

Idiotizmi shkoi aq larg sa që ditën e parë të tragjedisë taksën u detyruan ta paguajnë edhe ata që çuan ndihma në Shqipëri. Një veprim që nuk përkonte me realitetin, kur qindra mijëra kosovarë u organizuan për t’iu dalë në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti. Vetëm presioni publik bëri që ditën tjetër taksa të suspendohet. Përkohësisht.

Por Edi Rama vazhdoi të jep leksione për “patriotë e tradhtarë”, madje në një situatë kaq të vështirë nuk e la pa iu kthyer edhe temës së tij të preferuar – “Mini Schengenit”.

* * *

Teksa Edi Rama gjen kohë për “patriotë e tradhtarë”, më mirë do të ishte që të koordinonte si duhet veprimin e institucioneve shtetërore atje, për t’u përballur me gjendjen e krijuar. Një situatë kaotike, aspak e denjë për një shtet me 107 vjet histori e anëtar i NATO’s. Madje Rama nuk ngurroi as të përpiqet që ta minimiojë solidarizimin e pashoq të mijëra kosovarëve që hapën dyert e zemrat për qytetarët e Shqipërisë, që mbushën sheshe me ndihma të çfarëdollojshme, të

cilat ua dërguan nevojtarëve. Pavarësisht arrogancës së Edi Ramës, ata treguan kulturë e vetëmohim, duke mos kursyer asgjë në ditë të vështira.

Përderisa ende vazhdojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit për të nxjerrë viktima nga rrënojat, disa udhëheqësve institucionalë kosovarë iu ra ndërmend të vizitojnë vendin e tragjedisë vetëm ditën e dytë. Më i shpejtë ishte shefi i diplomacisë greke, sesa politikanët e Kosovës që aq shumë e duan Durrësin kur zhvillojnë aktivitete atje dhe marrin mëditje të majme. Të tjerë ende “nuk kanë gjetur kohë” për t’i vizituar njerëzit që pësuan, duke u mjaftuar me respektim procedurash të ofrimit të ndihmës në raste të tilla.

Pavarësisht raportimeve për mundësinë e keqpërdorimit të ndihmave që po dërgohen në Shqipëri, nga idividë të ndryshëm, qytetarët e Kosovës po e bëjnë më të mirën. E rëndësishme për ta është që t’iu gjenden sa më pranë njerëzve që kanë pësuar, disa nga të cilët i morën dhe i sollën në shtëpitë e tyre.

Nuk është ky kthim borxhi për vitin 1999, kur qindra mijëra kosovarë gjetën strehim në Shqipëri. Është, thjesht, shprehje e solidaritetit njerëzor me ata që i ndjejnë më afër dhe bashkëndiejnë me tragjedinë e tyre.

* * *

Nëse politika ka dështuar për të menaxhuar situatën e bashkërenduar aktivitetet, qytetarët kanë dhënë provimin. Ata i kanë lënë mbrapa tensionet dhe situatat e pakëndshme të krijuara nga politikanët për interesa personale dhe protagonizëm.

Politikanët andej e këndej kufirit është mirë ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, është mirë të reflektojnë dhe të provojnë të dalin nga llumi i papërgjegjësisë e arrogancës ku janë katandisur.

Përtej betejave në rrjete sociale e ekrane televizive, ata duhet të ballafaqohen me nevojat e këtyre njerëzve, disa nga të cilët kanë mbetur pa të afërm e pa kulm mbi kokë, e të tjerë që kanë mbetur pa shpresë.

Përgjegjësinë për këtë e kanë të padinjitetshmit, që edhe në ditë zie shfaqin idiotësinë e tyre prej politikanësh e mungesën e njerëzores prej njerëzish. Ra tërmeti e i shkundi, i zhveshi, i la lakuriq.