“Të refuzuarit mund të riaplikonin”: U refuzuan rreth 18% e aplikuesve nga diaspora, KQZ shpjegon arsyet - Gazeta Express
string(99) "te-refuzuarit-mund-te-riaplikonin-u-refuzuan-rreth-18-e-aplikuesve-nga-diaspora-kqz-shpjegon-arsyet"

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 8:56

“Të refuzuarit mund të riaplikonin”: U refuzuan rreth 18% e aplikuesve nga diaspora, KQZ shpjegon arsyet

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 8:56

Nga 56,778 persona që aplikuan për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, 10 mijë e 94 prej tyre nuk arritën që të përmbushin kërkesat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me anë të akteve nënligjore.

E shprehur në përqindje, ky numër përbën 17.77% të aplikimeve. Pjesa tjetër prej 46 mijë e 15 shtetas nga numri i përgjithshëm i aplikuesve, janë regjistruar për votim me postë nga jashtë Kosovës në Zgjedhjet Lokale 2025.

“Nga data 23 korrik dhe deri në përfundim të afatit, më 29 gusht, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar 56,778 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 46,015, ndërkaq janë refuzuar 10,094 të tjera”, ka thënë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Por, përse ka kaq shumë aplikimeve të refuzuara?

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, pjesa më e madhe e këtyre refuzimeve ka ardhur për shkak të mungesës së dokumenteve që dëshmojnë adresën e banimit jashtë Kosovës.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti, etj.))”, ka sqaruar Elezi.

Më tej, sipas Elezit, procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës nuk ka qenë përjashtuar.

“Procesi i regjistrimit nuk ka qenë përjashtues, pasi çdo aplikues i refuzuar është njoftuar për arsyet e refuzimit dhe për mundësinë e ri-aplikimit duke paraqitur dokumentet e domosdoshme për regjistrim”, sqaroi ai.

Sipas KQZ-së, vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar gjatë periudhës 38-ditore, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025”.

Po ashtu, sipas këtij institucioni, në bazë të rregullores për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që, shtetasve të Kosovës që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit, t’ua dërgojë përmes postës pakon me nga dy fletëvotime. Ndërkaq, është detyrë e secilit prej tyre që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë.