Të paktën 57 persona kanë humbur jetën gjatë një vale masive emigrantësh që u përpoqën të hynin në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.
Rreth 50,000 persona tentuan ta kalonin kufirin gjatë kësaj jave, megjithëse autoritetet spanjolle thanë se shumica ishin kthyer në Marok deri të premten në mbrëmje.
Mbërritja e papritur e dhjetëra mijëra emigrantëve bëri që kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, të udhëtonte me urgjencë drejt territorit. Ndërkohë, Italia rivendosi përkohësisht disa kontrolle kufitare për udhëtarët që vinin nga Spanja, ndërsa Franca urdhëroi kontrolle shtesë përgjatë kufirit të saj me Spanjën, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet në Ceuta thanë se shumë prej viktimave u mbytën, ndërsa turma të mëdha njerëzish kalonin kufirin si nëpërmjet tokës ashtu edhe përmes detit të enjten, duke tejkaluar kapacitetet e rojeve kufitare.
Autoritetet spanjolle deklaruan se do të përpiqen të dëbojnë sa më shpejt të jetë e mundur ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, pavarësisht një vendimi të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës, sipas të cilit emigrantët që mbërrijnë nëpërmjet detit nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.
