Një i dënuar me vdekje në Teksas të ShBA-së fitoi pezullim të ekzekutimit, pasi pretendoi se po i shkelet liria fetare duke mos e lënë pastorin që t’i vendos duart në trupin e tij në kohën e marrjes së injeksionit vdekjeprurës.
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e bllokoi ekzekutimin e të dënuarit John Henry Ramirez rreth tri orë pas kohës kur mund të ishte ekzekutuar. Ai është dënuar për therjen fatale të 46-vjeçarit Pablo Castro, shkruan Fox News, transmeton Gazeta Express.
Ramirez ishte duke u mbajtur në një qeli të vogël pak metra larg “dhomës së vdekjes” në burgun “Huntsville Unit” në Teksas, kur u njoftua për pezullimin e ekzekutimit nga zëdhënësi i Departamentit për Drejtësi Kriminale, Jason Clark.
“Ishte i qetë, kur i tregova. E tundi kokën dhe tha: Faleminderit shumë! Zoti ju bekoftë”, tregoi zëdhënësi.
Prokurorët kanë thënë se Ramirez e kishte therë Castro-n 29 herë gjatë një vargu plaçkitjesh, në të cilat i dënuari dhe dy gra kërkonin të holla. Ramirez fillimisht ishte arratisur në Meksikë, por ishte arrestuar 3 vjet e gjysmë pas rastit.
Avokati i tij, Seth, pretendoi se Departamenti i Drejtësisë Kriminale në Teksas po i shkel të drejtat e Amendamentit të Parë për praktikimin e fesë duke ia mohuar klientit të tij kërkesën për të pasur një pastor që e prek dhe për t’i thënë me zë lutjet, kur të ekzekutohej.