Të aktrosh normalitetin - Gazeta Express
string(23) "te-aktrosh-normalitetin"

Të aktrosh normalitetin

Gazeta Express

29/07/2020 17:22

Numri i të infektuave dhe të vdekurve javëve të fundit është rritur drastikisht, por qeveria ka vendosur t’i zbusë disa nga masat, përtej çdo logjike të shëndoshë. Qeveria, e bashkë me të edhe një pjesë e shoqërisë, po aktrojnë normalitetin, në një situatë aspak normale. Pasojat do t’i vuajmë të gjithë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Një situatë e vështirë me pandeminë dhe një përgjigje jo e duhur nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi. Në këtë mënyrë Kosova po i kalon ditët e vështira të përballjes me virusin, ndërkohë që paralajmërimet janë se mund të bëhet edhe më keq.

Masa konfuze, të cilat janë në disproporcion me situatën jashëtzakonisht serioze po ndërmerren nga qeveria, e cila më shumë po vepron “aty për aty”, sesa bazuar në ndonjë plan të saktë dhe të qartë.

Numri i të infektuave dhe të vdekurve javëve të fundit është rritur drastikisht, por qeveria ka vendosur t’i zbusë disa nga masat, përtej çdo logjike të shëndoshë. Qeveria, e bashkë me të edhe një pjesë e shoqërisë, po aktrojnë normalitetin, në një situatë aspak normale.

Cila është logjika që të zbuten masat e lëvizjes dhe zgjatjes së orarit të punës së gastronomisë, përderisa çdo ditë po njoftohet për më shumë se dyqind të infektuar? Ose, cila ka qenë logjika që të vendosen masa më të ashpra, madje edhe mbyllja e çerdheve, në kohën kur kishte më pak të infektuar dhe të lehtësohen masat, kur shifrat janë tejet shqetësuese? Cila është logjika që inspeksioni e policia të dënojnë njerëz që nuk mbajnë maskë në rrugë ose kur janë vetëm në makinë, ndërkaq askush nuk çan kokën për njerëzit që mbushin kafenetë, shumë nga ta edhe pa distancën e duhur? Pyetje të tilla mund të shtrohen pa fund dhe asnjëra nga to nuk mund të marrë përgjigje logjike. Sepse logjika mungon.

Masat e ndërmarra nga qeveria nuk kanë kurrfarë efekti, nëse nuk mbikëqyret zbatimi i tyre. Kjo nuk po ndodh. Ashtu siç nuk po ndodh një qasje më e vendosur e qeverisë, karshi menaxhimit të gjendjes. Kjo më së miri tregohet me vendimin për t’i lehtësuar masat për gastronomët, menjëherë pas një proteste të tyre në Prishtinë. Pra, qeveria po merr vendime ‘ad hoc’, nën ndikimin e zhvillimeve ditore dhe jo si një qeveri e përgjegjshme dhe me strategji të qartë se si duhet vepruar.

Sot qyetarët janë konfuzë me masat e ndërmarra dhe nuk e kanë plotësisht të qartë se cilat janë ato. Jo rastësisht, ngase në mëngjes propozohen masa që ndryshojnë deri në mesditë dhe pastaj sërish modifikohen deri sa të kthehen në vendime, në mbrëmje.

* * *

Një problem i madh i qeverisë aktuale është mungesa e besimit. Gjimnastikat politike dhe në menaxhimin e pandemisë kanë bërë që edhe qytetarët të mos e marrin seriozisht respektimin e masave. Natyrisht, ndikim ka edhe mentaliteti i shoqërisë, që i respekton me zor masat e ligjin, por shteti duhet të jetë aty për të siguruar zbatimin e tyre.

Ashtu siç duhet të sigurojë mbështetjen ekonomike të munguar tash sa muaj për bizneset, për punëtorët që ende nuk i kanë marrë paratë e ndihmës emergjente. Që duhet të sigurojë ndihmën sociale për rastet që nuk kanë të ardhura, e jo të heq shtesën për pensionistë.

Premtimi fillestar i qeverisë ishte pakoja e përgjithshme prej 1.2 miliard eurosh për menaxhimin e situatës, por realiteti është krejt tjetër. Realitet i hidhur, që vetëm sa rëndohet kur dëgjon paralajmërimet për kolapsimin e shpejtë të spitaleve, shkaku i mungesës së shtretërve për të sëmurët. Që vetëm sa rëndohet kur sheh diskrimnimin që iu bëhet qytetarëve, qoftë edhe në mundësinë e testimit. Politikanët testohen dhe i marrin rezultatet shpejt, kurse qytetarët e rëndomtë duhet të presin me ditë për të marrë këtë shërbim.

Dhe, përderisa qytetarët presin menaxhim më të mirë e ndihmë më të madhe, politikanët kanë zgjedhur të përplasen e të akuzohen ndërmjet vete, madje deri në pretendime për sulm fizik. Politikanë ndër të cilët, jashtë çdo logjike të shëndoshë, rrëzuan një qeveri në mes të krizës me pandeminë dhe tash kanë çuar duart përballë situatës alarmante. Politikanë që në rend të parë e kanë veten dhe të vetët, sesa qytetarët karshi të cilëve do të duhej të tregoheshin të përgjegjshëm. Politikanë të cilët edhe krizën me pandeminë e shfrytëzojnë për poenë politikë, ndërkohë që buxheti i rishikuar nuk votohet, ndërkohë që masat e vëna nga qeveria nuk mbikëqyren, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur si në mjegull. Në mjegullën e krijuar për arsye meskine të politikës, që seriozisht po e rrezikon shëndetin e secilit prej nesh. Në mjegullën e krijuar në emër të shpëtimit nga gjendja e krijuar, por që rezultoi me zhytje thellë e më thellë. Në mjegullën, e cila iu konvenon të gjithë atyre që mbijetojnë politikisht në të tilla situata – pavarësisht pasojave, pavarësisht rrezikimit të jetës së njerëzve.