Në kuadër të Panairit të Librit në Tiranë, lexuesit do të kenë mundësinë ta takojnë, Xhoana Jaku, e cila do t’i prezantojë librat “Fatet” dhe “Imitimet” nga seria “Dritëhijet”, më 13 nëntor, në orën 18:00, te stenda “Dukagjini”, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë.
Rreth librave:
“Fatet” është vëllimi i parë i serisë Dritëhijet. Ngjarjet zhvillohen në mjedise herë të vërteta, herë imagjinare. Romani ndjek dy linja paralele: në Romë, Dioni gjendet në një bibliotekë private dhe nis të lexojë një libër misterioz, ndërsa përballet natën me dukuri të pashpjegueshme; në Londër, rrjedhin ngjarjet e librit që Dioni lexon fshehurazi, një histori për një komunitet të pazakontë që jeton nën tokë, në fshehtësi, të pajisur me fuqi psikike intriguese.
“Imitimet” është vëllimi i dytë i serisë Dritëhijet. Fatet njerëzore mbartin një hije që udhëton anembanë botës, skutë më skutë, edhe në kthinat ku drita nuk ka mundur të depërtojë, por gjithmonë tërhiqet dhe kthehet mbrapsht, tek i zoti me të cilin lindi dhe me të cilin do të shuhet një ditë. Legjendat dhe mitet thonë se njeriu lind dhe vdes me fatin e tij. Thonë se njeriu lufton më kot ta braktisë, ta shpëtojë apo edhe ta ndryshojë të ashtuquajturin fat. Thuhet se të mallkuar janë ata që guxojnë ta vrasin fatin e tyre. Se bashkë me fatin shuhet dhe individi… Ky është vazhdimi i historisë së njerëzve dhe të zotave që ata krijuan, një spirale fatesh dhe imitimesh.
Rreth autores:
Xhoana Jaku ka diplomuar për filozofi (2019) dhe për punë sociale (2021). Ka shkruar artikuj për gazeta të ndryshme dhe ka drejtuar klube leximi e aktivitete kulturore në Tiranë. Vitet e fundit ka punuar si menaxhere e mediave sociale.
Jaku është një autore e re në letërsinë shqiptare, e cila debutoi në vitin 2022 me librin “Fatet”, pjesë e serisë “Dritëhijet”, në zhanrin fantazi. Ky libër u vlerësua si fitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare nga QKLL-ja (Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit), me motivacionin: “…me një fantazi të çlirët dhe rrëfim shumështresor, të shprehura përmes një zhanri pak të lëvruar në letërsinë tonë.”