Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të vendosë një memorial për kongresmenin amerikan Eliot Engel në ambientet e tij, në mënyrë që kontributi i tij të përkujtohet përgjithmonë.
Ai tha se mbajtja e seancës përkujtimore për Engel përbën një akt të rëndësishëm shtetëror dhe historik, si shprehje e mirënjohjes për mbështetjen ndaj Kosovës në periudhat më të vështira.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës po bën një akt të rëndësishëm shtetëror dhe historik duke mbajtur këtë seancë të veçantë përkujtimore në nder dhe respekt të kongresmenit amerikan Eliot Engel. Ky është më shumë se një moment kujtese. Është një shprehje e qartë e mirënjohjes sonë si shtet, si kuvend për një njeri që qëndroi me popullin e Kosovës në kohët tona më të vështira dhe në kohët më vendimtare të historisë sonë. Rruga jonë e drejtë për liri e pavarësi dihet është ndërtuar me shumë sakrifica, mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi mbështetjen e fuqishme të miqve tanë të botës së lirë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
“Në këtë histori kongresmeni Engel e zë vendin e vet të veçantë. Që nga vitet e represionit ai ishte ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke ngritur vazhdimisht çështjen e të drejtave shqiptare. Ai mbështeti fuqishëm lirinë, ai mbështeti fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s duke kontribuar në ndaljen e tragjedisë dhe në hapjen e rrugës së vendit tonë drejt lirisë. Pas luftës ai vazhdoi të jetë përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit”, tha ai./EO/