Forcat ruse kryen sulme në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës gjatë natës, duke vrarë të paktën gjashtë persona, thanë zyrtarët rajonalë, pasi skadoi një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia lëshoi më shumë se 200 dronë gjatë natës, duke shuar shpresat se një armëpushim tre-ditor që përfundoi të hënën do të zgjatej.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat e vendit të tij kishin goditur objektet e gazit në rajonin Orenburg të Rusisë, më shumë se 1,500 kilometra nga kufiri ukrainas.
Sulmi me dron në një ndërtesë apartamentesh në qytetin e lindjes së Zelensky-t, Kryvyi Rih, në Ukrainën qendrore vrau dy persona dhe plagosi katër, përfshirë mbesën nëntëmuajshe të çiftit të vrarë, thanë guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha dhe shefi i administratës ushtarake Oleksandr Vilkul nëpërmjet Telegram.
Këmba e vajzës u amputua.
Zelensky, gjithashtu nëpërmjet Telegram, e dënoi sulmin, duke e quajtur atë “cinik dhe plotësisht të lirë nga çdo logjikë ushtarake”.
“Pas përfundimit të armëpushimit të pjesshëm tre-ditor, Rusia vazhdon të vrasë dhe plagosë ukrainas, dhe për këtë arsye presioni mbi të nuk duhet të dobësohet në asnjë mënyrë”, tha Zelensky.
Në verilindje të Krivyi Rih, një sulm ajror vrau katër persona dhe plagosi tre, tha Hanzha.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha në një raport të vonë të natës se 170 angazhime luftarake ishin regjistruar përgjatë një fronti prej 1,250 kilometrash në 24 orët e fundit.
Raporti tha se luftimet më të ashpra po zhvilloheshin pranë dy pikave kyçe të mbrojtjes ukrainase në lindje të vendit, qyteteve Kostyantynivka dhe Pokrovsk. Forcat ruse, sipas të dhënave, kryen përkatësisht 25 dhe 24 operacione luftarake.
Ukraina dhe Rusia kishin rënë dakord më parë për një armëpushim për të shënuar përvjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, si pjesë e një iniciative paqeje amerikane të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump pas më shumë se katër vitesh lufte.
Trump tha të premten se shpresonte që armëpushimi të zgjatej.
Ndërsa asnjëra palë nuk raportoi sulme të mëdha ajrore gjatë armëpushimit, të dyja palët thanë se luftimet përgjatë vijave të frontit vazhduan, duke akuzuar njëra-tjetrën për sulme me dronë dhe artileri.