Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë i ka komunikuar dje mbylljen e hetimeve ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në lidhje me dosjen e njohur si “Meta”. Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur për tre akuza të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Kryemadhi u paraqit dje në ambientet e SPAK në orën 13:00, ku prokurorët e posaçëm i dorëzuan dosjen e përfunduar të hetimeve, të cilat janë bashkuar me ato ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ndodhet në arrest me burg që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi është me masë sigurie “detyrim paraqitje”. Megjithëse akuzat ndaj Metës janë bërë publike më herët, ende nuk është komunikuar zyrtarisht mbyllja e hetimeve në ngarkim të tij.
Në të njëjtën dosje, e pandehur është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Ajo akuzohet se ka ndihmuar çiftin Meta-Kryemadhi në pastrimin e parave. Fatime Kryemadhi u paraqit dje në SPAK për t’u njohur me akuzat, por seanca u shty për shkak të përfaqësimit të saj me të njëjtin avokat që mbrojti një të hetuar tjetër në këtë çështje, Ema Çoku.
Gjithashtu, prokurorët kanë komunikuar zyrtarisht akuzat për pastrim parash ndaj Ema Çokut dhe për korrupsion pasiv ndaj ish-kreut të AKEP-it, Pirro Xhixho. Dosja “Meta” përfshin tre hetime të rëndësishme: aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe një hetim pasuror të zgjeruar.
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...