"South Outdoor Festival", një ngjarje me plot sport dhe kulturë - Gazeta Express
string(60) "south-outdoor-festival-nje-ngjarje-me-plot-sport-dhe-kulture"

“South Outdoor Festival”, një ngjarje me plot sport dhe kulturë

Arte

Gazeta Express

12/07/2021 23:06

“South Outdoor Festival” do të organizohet edhe sivjet në Borsh të Shqipërisë në datat 3-6 shtator.

Ky festival i cili organizohet çdo vit në jug të Shqipërisë është një festë e të gjitha aktiviteteve në natyrë: sport, kulturë, traditë, muzikë, natyrë dhe ushqim. Gjatë veprimtarisë katër ditore, festivali fton pjesëmarrës nga të gjithë vendet e Evropës që të bashkohen, të konkurrojnë dhe të argëtohen, duke shijuar dhe përjetuar veçantinë që ofron Riviera e bukur e Shqipërisë.

Lexo Edhe:

“South Outdoor Festival” mbajti të hënën konferencë për media në Prishtinë, ku organizatorët e festivalit shtjelluan detajet e këtij festivali, i cili pritet të jetë një nga edicionet më të mira, marrë parasysh mungesën dyvjeçare të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Festivali i naturës në jug synon të ofrojë aktivitete në natyrë, kulturë, traditë, muzikë, arte skenike dhe ngjarje të veçanta për të rritur entuziazmin e publikut dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen me synimin për ta bërë Shqipërinë e Jugut një destinacion ndërkombëtar të turizmit . Përmes aktiviteteve tona të veçanta në natyrë dhe ngjarjeve kulturore, të angazhojë dashamirët në natyrë ashtu edhe vizitorët si pjesëmarrës që ndajnë perceptimet specifike kulturore që vijnë nga historia dhe tradita, kuzhina dhe pijet, muzika dhe vallëzimi.

Në konferencën e mbajtur për media, Bledar Leka, organizator i “South Outdoor Festival” tregoi arsyet pse të gjithë duhet ta provojnë së paku një herë eksperiencën e këtij festivali.

“Projekti mbështetet fuqimisht nga Qeveria Gjermane, është implementuar në Shqipëri nga GIZ [Zyra e Shqipërisë]. Është edicioni i katërt, por viti i pestë, vitin e kaluar ishim në pushim si e gjithë bota por këtë vit ne kemi mbledhur energji dhe të vitit të kaluar dhe kemi menduar që të gjithë ato gjëra që do bënim vjet dhe sivjet, t’i bënim të dyja në këtë edicion. Festivali ka filluar në 2017-n, që prej vitit të pare ka qenë iniciative e GIZ Albania. Qëllimi ka qenë zhvillimi dhe promovimi i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe konkretisht në rastin e ‘South Outdoor Festival’ ka qenë promovimi i zonës së jugut të Shqipërisë, ku shumica e njerëzve e njohin për plazhin, por jugu nuk ka vetëm plazhin, ka shumë potenciale të fshehura, që ne nëpërmjet festivalit jemi munduar që t’ia bëjmë prezente të gjithë turistëve. Ne jo pa qëllim festivalin e kemi vendosur në një pjesë të vitit ku nuk ka turizëm veror, është në shtator, dhe qëllimi është që gjatë këtij sezoni në të promovojmë atë pjese të Shqipërisë dhe ato potenciale qe janë shumë më tepër se sa vetëm deti”, tha Bledar Leka.

Roland Hysi apo i njohur ndryshe si Landi i grupit West Side Family, i cili është ambasador i këtij festivali, tha se “South Outdoor Festival” mundëson shumë aktivitete për të rinjtë, dhe di ua sugjeronte të gjithëve pjesëmarrjen në të.

“Jam pjese këtij festivali sepse e vlerësoj si një festival që të gjithë duhet ta provojnë dhe reklamojnë si një festival të cilin do ta cilësoja si ‘one stop shop’ ,ku ti do të shkosh të përzgjedhësh një sërë aktivitetesh që ti di t’i bësh, por edhe nëse nuk di, ka prapë hapësirë për të eksploruar, për t’u kënaqur, për të kaluar mirë, për të provuar një gatim ndryshe, për të mësuar diçka për kulturën, sportin etj”, u shpreh Landi Hysi.

Ndërkohë, menaxheri i komunikimit në “South Outdoor Festival” përpara gazetarëve shpalosi listën e artistëve që pritet të performojnë përgjatë tri netëve të festivalit.

“Landin e kemi edhe si përfaqësues të WSF sot në panel, sepse në natën e parë do të kemi një super performancë nga West Side Family, do të kemi Urban Band, Orgesa Zaimin dhe banda e saj, DJ Boocky dhe Jericho. Nata e dytë do të sjell për herë të parë në Borsh, por jo për herë të parë në Shqipëri, Mahmut Orhan, Offchestra, Marsela Cibukaj, DJ Mickey dhe Urban Band rezident sërish, janë edhe në natën e trete. Do të jetë Eugent Bushpepa në natën e tretë, DJ Abel dhe Nana për te gjithë nostalgjikët”, tha Rexho.

“South Outdoor Festival” është realizuar në partneritet të fortë me operatorët më të mirë turistike shqiptarë që kanë punuar në sektorin e turizmit prej vitesh, duke specializuar turizmin aktiv dhe duke marrë çmime për zhvillimin e produkteve dhe ngjarjeve të reja turistike brenda bizneseve të tyre. Festivali mbështetet fuqimisht nga GIZ Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë Kombëtare të Turizmit, dhe Bashkinë Himarë.