Fundjava sjell super ndeshje në elitën e basketbollit, ku zhvillohet xhiroja e 20-të e Superligës dhe ku përballen katërshja me traditë në basketbollin e Kosovës.
Sfida e parë zhvillohet ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, ku pritet një super ndeshje dhe një superatmosferë në kryeqytetin e Kosovës.
Prishtinasit janë në vendin e tretë me 13 fitore e gjashtë humbje, derisa pejanët kanë 14 fitore e pesë humbje, duke i ndarë vetëm një pikë mes tyre, e kjo do të bëjë edhe më interesante këtë përballje.
Në dy takimet e këtij edicioni, të dy skuadrat kanë nga një fitore ndaj njëra-tjetrës si mysafire. Pejanët triumfuan në Prishtinë 80:95, derisa kryeqytetasit në Pejë, 78:81.
Dita e shtunë vazhdon me super përballjen tjetër ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, ku të dy skuadrat hyjnë vetëm për fitore. Prizrenasit janë në vendin e gjashtë me shtatë fitore e 12 humbje, kurse mitrovicasit në vendin e parë me 17 fitore e dy humbje.
Këtë edicion ‘Xehetarët’ kanë dy fitore ndaj Portokallezinjëve, 77:99 dhe 84:67.