Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zhvilluar një vizitë në Baku ku është takuar me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, me qëllim forcimin e bashkëpunimit energjetik mes dy vendeve dhe sigurimin e furnizimeve afatgjata me gaz dhe naftë për Evropën.
Gjatë takimit, Meloni theksoi se në një kohë të rritjes së paqëndrueshmërisë globale, partneriteti Itali–Azerbajxhan mbetet “i besueshëm dhe strategjik”.
Ajo kërkoi që Azerbajxhani të forcojë rolin e tij si nyje energjetike mes Europës dhe Azisë, ndërsa Italia të shërbejë si “porta kryesore drejt tregut europian”.
Bisedimet u përqendruan kryesisht në sektorin e energjisë, ku Azerbajxhani eksporton sasi të konsiderueshme gazi drejt Italisë përmes Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Të dy palët diskutuan edhe për mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve të TAP-it për të rritur furnizimet në të ardhmen, si dhe për thellimin e investimeve italiane në Azerbajxhan.
Në fund, vizita u cilësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë energjetike të Europës dhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes Italisë dhe Azerbajxhanit, shkruan Euronews.