Po dalin gjithnjë e më shumë detaje rreth mënyrës se si Chelsea arriti t’ia rrëmbejë Marco Palestran ekipit të Interit.
Në këtë operacion, rol të rëndësishëm luajti edhe Xabi Alonso, ndërsa në garë ishte përfshirë gjithashtu Newcastle Unitedi.
Interi kishte punuar për muaj të tërë për të finalizuar transferimin, duke arritur deri te detajet e fundit të një marrëveshjeje me vlerë 45 milionë euro plus bonuse, që do ta çonin totalin në 50 milionë euro.
Megjithatë, situata ndryshoi plotësisht brenda pak orësh.
Chelsea ndërhyri me një ofertë shumë më të lartë: 57 milionë euro plus të paktën 3 milionë euro bonuse, si dhe 10 për qind të shumës së një shitjeje të ardhshme.
Në të njëjtën kohë, londinezët i ofruan lojtarit një pagë që ishte më shumë se dyfishi i 2.5 milionë eurove në sezon që kishte propozuar Interi.
Kampionët e Italisë nuk pranuan të hynin në një luftë ofertash dhe vendosën të tërhiqeshin pas muajsh negociatash.
Sipas “Sky Sport Italia”, deri atëherë Palestra dukej i vendosur t’i bashkohej Interit, por disa faktorë ndryshuan mendimin e tij.
Raportohet se si Newcastle ashtu edhe Chelsea kishin tentuar më herët gjatë këtij muaji të paraqisnin oferta, por reprezentuesi italian i kishte refuzuar, pasi i kishte dhënë fjalën vetes se do të transferohej tek Interi.
Ndryshimi erdhi kur Xabi Alonso e telefonoi personalisht lojtarin për t’ia shpjeguar projektin sportiv.
Natyrisht, ndikim të madh pati edhe oferta financiare prej 5 milionë eurosh neto në sezon në bazë të një kontrate gjashtëvjeçare.
“Sky Sport Italia” pretendon se Palestra kontaktoi Atalantën mbrëmjen e kaluar dhe i informoi drejtuesit se do të pranonte me kënaqësi cilëndo nga ofertat e Interit ose Chelseat, duke ua lënë atyre vendimin përfundimtar.
Në këto rrethana, Atalanta pyeti Interin nëse ishte i gatshëm ta rriste ofertën për të barazuar atë të Chelseat, por klubi zikaltër zgjodhi të tërhiqej.
Gjithashtu qarkullojnë zëra se afrimi i Chelseat ishte paralajmëruar më herët.
Agjenti Alessandro Lucci thuhet se kishte paralajmëruar Interin për interesimin e londinezëve, por pronarët e klubit, “Oaktree Capital Management”, nuk dhanë dritën jeshile për të rritur ofertën dhe për të vazhduar garën./GazetaExpress/