Vera ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Real Madridin.
Pas “merkatos” verore të planifikuar shumë herët, me arritjet e Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen e Franco Mastantuono, rrugëtimi në Botërorin e Klubeve po sjell gëzime të reja.
Nën drejtimin e Xabi Alonsos, “Los Blancos” llogarisin ta mposhtin nesër mbrëma Paris Saint-Germainin dhe të shkojnë në finale të këtij turneu, shkruan “Gazeta Express”.
Ish-trajneri i Bayer Leverkusenit ka ditur t’i vlerësojë elementet pak të konsideruar nga Carlo Ancelotti, duke zbuluar karta të reja fituese.
Prej krejt këtyre vlen të përmendet më së shumti zbulimi i Gonzalo Garcías: sulmuesi 21 vjeç, deri dje i lidhur me Castillan, është aktualisht golashënuesi më i mirë i Realit në këtë turne me 4 gola.
Edhe Dean Huijsen ka gjetur shpejt hapësira dhe vazhdimësi, ndërsa Arda Güler e Fran García po i shfaqin krejt kualitetet e tyre.
Mirëpo, për të tjerët ka më pak lajme të mira.
Sipas mediumit spanjoll “Sport’, pesë emra të rëndësishëm rrezikojnë të largohen nga klubi.
Prej tyre, i pari që mund t’i bëjë valixhet gati është braziliani Rodrygo, i cili ka përfunduar jashtë projektit teknik të Alonsos.
Gjithashtu, edhe bashkëkombësi i tij, Endrick mund të mbetet jashtë pasi për momentin e ka humbur konkurrencën me Gonzalo Garcian.
Në mesfushë, Dani Ceballos është përsëri në telashe pasi është kaluar nga rritja eksponenciale e Arda Güler.
Në mbrojtje, David Alaba e Ferland Mendy janë lënë nën hije falë paraqitjeve të shkëlqyeshme të Huijsen e Fran García, ndërsa arritja e Alvaro Carreras mund ta komplikojë pozicionin e anësorit francez.
Kështu, një cikël i ri po merr formë tek Real Madridi.
Jo të gjithë do t’i bashkohen ekipit në përgatitjet për sezonin e ri, pas pushimit disa javor pas përfundimit të Botërorit të Klubeve. /Gazeta Express