Një nga emrat më të shquar të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, regjisori, skenaristi dhe aktori Leka Bungo, është ndarë nga jeta sot në moshën 81-vjeçare. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale.
Vajza e tij, Alba Bungo, e ka përshkruar si një njeri të jashtëzakonshëm që jetoi me dinjitet dhe luftoi deri në fund me një sëmundje të rëndë. “I shtrenjti im që jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk të thërrisja mbret”, shkruan ajo, duke shprehur krenarinë dhe mirënjohjen për mësimet e vyera që mori prej tij.
Ceremonia mortore do të mbahet të mërkurën, më 11 qershor, në orën 16:00, në varrezat e Sharrës, ku Bungo do të përcillet për në banesën e fundit.
Për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama. “LAMTUMIRË miku im Leka Bungo. Prehu në paqe,” shkroi ai në një postim të shkurtër në rrjetet sociale.