string(50) "shtepia-mbi-koder-te-gjesh-te-bardhen-e-perjetshme"

Arte

Donjeta Abazi

02/05/2025 20:30

‘Shtëpia mbi kodër’, të gjesh të bardhën e përjetshme

Arte

Donjeta Abazi

02/05/2025 20:30

Më 30 prill në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (e cila tashmë është në administrim të GKK-së) u hap ekspozita personale e artistit Valdrin Thaqi, titulluar “Shtëpia mbi kodër”

Ekspozita është gërshetim mes pikturës dhe skulpturës; autori i ka përdorur të dy mediumet artistike për të trajtuar tematiken e ekspozitës dhe për të sjellë tek publiku narrativen e tij personale.

Fëmija, gruaja dhe shtëpia

Në hyrje të Galerisë dhe gjatë shëtitjes nëpër ekspozitë, dallojmë një dominim të ngjyrës së bardhë, qoftë në ambient, qoftë në punimet e artistit. E bardha që së pari dallohet te shtëpia që është e vendosur në mes të Galerisë na e krijon ndjesinë e paqes, qetësisë dhe të pastërtisë.

Fëmija që na paraqitet në katër pjesë, si pjesë e një punimi të vetëm, ose i një cikli të veçantë, po ashtu e ka në dominancë ngjyrën e bardhë dhe të kaltër. Lodra që mban në dorë në të katër punimet rrëfen për fëmijërinë e artistit, për fëmijërinë e të shumtëve që lodrat e tyre i kanë pasur zakonisht të bëra vetë, lodra druri. Piktura e fëmijës mban veçantinë e çiltërsisë, të pastërtisë, të pafajësisë. Për vetë faktin që na shfaqet portreti i tij pa tipare të fytyrës të definuara ne guxojmë të gjejmë elemente të fëmijërisë sonë tek kjo vepër arti.

Njëjtë ndodh me gruan dhe shtëpinë. Elemente këto që na thërrasin brenda personales, njerëzores dhe botës së përditshme.

Lakuriqësia si thirrje e sinqertë

Të gjitha pikturat e Thaqit i qëndrojnë besnik mesazhit të artistit. Lakuriqësia që dominon si element bashkë me ngjyrën e bardhë, na ftojnë ne një rrugëtim që nis atëherë kur nisim vetë ne. Duke filluar nga gruaja shtatëzenë, e cila shtrihet lakuriq në mbulojë, tek fëmija me lodër dhe deri tek djali tjetër lakuriq që mban një gotë qumësht. Të gjitha këto elemente: gota me qumësht, lodrat, gruaja shtatzanë, shtëpia e vogël e projektuar për të qëndruar në mes, përçojnë tek publiku atë që është destinuar të përcillet, fëmijëria dhe intimiteti i shtëpisë brenda mureve të saj.

Gjendja e shtëpisë brenda mureve, në ekspozitë na bën borxhli ndaj emocionit dhe gjendjes shpirtërore. E bardha po, ama deri në fund të lakuriqësisë apo gjithmonë?

Dhe lakuriqësia si element bazë i ekspozitës duket sikur këtu na vjen në mënyrë më të pastër ngase cilësohet në parim. Si duket lakuriqësia e artistit në këtë ekspozitë i takon më së shumti shpërfilljes natyrale ndaj fenomeneve të më pastajme të shoqërisë, kjo shpërfillje është krejt origjinale dhe e pastër.

Nocione brenda vetvetes

“Shtëpia mbi kodër” është një veçanti brenda veçantisë, një intimitet brenda intimitetit dhe një çiltërsi brenda të së çiltertës. Me të gjitha elementet që na specifikojnë gjendje të ndryshme, brenda një hapësire që ne e thërrasim shtëpi, gjejmë një të fshehtë të njohur nga jashtë. Një periudhë që e kalojmë teksa krijohemi dhe fill më pas, të cilën e anashkalojmë me vite dhe e pushojmë të fle, Thaqi na e sjell shpengueshëm për ta rikujtuar lakuriqësinë si elementin kyç tonin.

Mbi kodër të kujtimeve të artistit nga fëmijëria dhe mbi kodër të kujtimeve tona personale qëndron një shtëpi e vogël, e bardhë, brenda me një fëmijë, një grua dhe një gotë qumështi.

Gjendjet tjera që tërhiqen zvarrë me ndjesitë kur i analizojmë veprat e artistit, vijnë si metafora, qofshin edhe ato mbi gjendjen shpirtërore. Ne pandehim, imagjinojmë, kërkojmë, mund të gabojmë në përfundime por i qëndrojmë besnik mesazhit të artistit për eksplorim brenda vetes, brenda shtëpisë dhe brenda intimes.

Biografi e shkurtër

Valdrin Thaqi (1994), jeton dhe punon ndërmjet Prishtinës dhe Berlinit. Ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe është i njohur për praktiken e tij artistike multidisiplinare, me fokus të veçantë ne mediumin e pikturës dhe instalacionit. Ndër ekspozitat e tij personale më të fundit përfshihen: Short Poems and Other Tales/ A Play by Valdrin Thaqi, Fondacioni Hajde!/ Grand Hotel, Prishtinë (2024); I think / see it now, Bazament Art Space, Tiranë (2024); You do realize, there is a place where the sidewalk ends, East Contemporary Gallery, Milano (2023); It’s been a while since / saw a cloud in the sky, Motrat Gallery, Prishtinë (2019). Ka marr pjesë ne disa ekspozita kolektive duke përfshirë: Silent Threads, Continua Gallery, Paris (2025); Artistët e se Nesërmes, Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë (2022); Koleksioni i Artit në Kosove, Galeria Kombëtare e Kosovës (2022); Manifesta 14 (2022); dhe Nothing Like Home, LambdaLambdaLambda Gallery, Prishtinë (2021). Thaqi është laureat i çmimit Muslim Mulliqi (2018) dhe çmimit për Artistët e Rinj (2019), të ndarë nga Galeria Kombëtare e Kosovës, si dhe ka qenë i nominuar për çmimin nga Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor në vitin 2022.

/Gazeta Express