Të shtatë personat që humbën jetën në aksidentin rrugor të së martës në Rumani, ku u përfshi një minibus me tifozë të PAOK-ut, ishin të gjithë mbështetës të klubit nga Selaniku, ka konfirmuar ambasada e Greqisë në Rumani.
Mjeti, i cili po transportonte 10 pasagjerë, ishte nisur nga Greqia dhe po udhëtonte drejt Francës, ku tifozët planifikonin të ndiqnin ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës mes PAOK-ut dhe Lyonit.
Tre të plagosurit janë të vetëdijshëm dhe janë transferuar në Spitalin Universitar të Timisoarës, rreth 100 kilometra në perëndim të vendit të aksidentit, ku mjekët pritet të kenë një pasqyrë më të qartë të gjendjes së tyre në orët në vijim.
Agjencia shtetërore greke e lajmeve “AMNA” raportoi se kryetari i bashkisë së Aleksandrisë në Imathia, Panagiotis Girinis, deklaroi se tre nga viktimat ishin nga Alexandria, ndërsa i katërti nga njësia fqinje rajonale e Pierias. Ai shtoi se viktimat nga Alexandria ishin të moshës 25 deri në 27 vjeç.
Aksidenti ndodhi në autostradën E70, mes qyteteve Caransebes dhe Lugojel, në perëndim të Rumanisë.
Në një deklaratë, shërbimi zjarrfikës i Rumanisë tha: “Rreth orës 13:05 u thirrëm për të ndërhyrë në një aksident rrugor në E70, pranë fshatit Lugojel. Një ambulancë e ndihmës së shpejtë, një mjet për nxjerrje nga mjetet e aksidentuara, një zjarrfikëse dhe mjete transporti për personelin u dërguan menjëherë në vendngjarje”.
Sipas deklaratës, aksidenti përfshiu një kamion, një autocisternë, një minibus (me 8+1 vende për pasagjerë) dhe një automjet pasagjerësh.
Autoritetet rumune po hetojnë rrethanat e aksidentit, ndërsa zyrtarë të ambasadës greke janë nisur drejt vendngjarjes, e cila ndodhet rreth shtatë orë larg Bukureshtit.
Kreu i Mbrojtjes Civile të Rumanisë, Raed Arafat, tha se helikopterët e emergjencës nuk mundën të operonin për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, deklaroi se ka qenë në kontakt me homologun e tij rumun dhe se Greqia është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme ose të procedojë me riatdhesimin e të plagosurve, nëse kjo konsiderohet e nevojshme nga ana mjekësore.
Kryetari i PAOK-ut, Ivan Savvidis, tha se ishte “i shkatërruar nga humbja e padrejtë e të rinjve – tifozë të ekipit tonë të dashur – që udhëtonin për të qenë pranë PAOK-ut”.
“Vajtoj bashkë me familjet e tyre dhe me miliona bashkëkombës tanë,” tha ai në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit.
“Këta të rinj, fëmijët e PAOK-ut, janë tanët. Ata janë anëtarë të një familjeje të madhe dhe ne qëndrojmë pranë familjes sonë, duke mos lënë askënd vetëm.”
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë së Selanikut, Stelios Angeloudis, tha: “Mendimet tona janë me tifozët e PAOK-ut që humbën jetën në Rumani, në rrugën drejt ndeshjes së ekipit të tyre të dashur në transfertë. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave të këtij aksidenti tragjik dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.”/GazetaExpress/