Shpërthen zemërimi pas rritjes së fshehtë të çmimeve të Netflix: “Kjo është streamflacion” - Gazeta Express
string(87) "shperthen-zemerimi-pas-rritjes-se-fshehte-te-cmimeve-te-netflix-kjo-eshte-streamflacion"

AutoTech

Gazeta Express

27/03/2026 23:14

Shpërthen zemërimi pas rritjes së fshehtë të çmimeve të Netflix: “Kjo është streamflacion”

AutoTech

Gazeta Express

27/03/2026 23:14

Miliona abonentë të Netflix po përballen me një rritje tjetër të çmimit, pasi gjigandi i streaming ka ngritur tarifat për të gjitha planet e abonimit.

Kompania njoftoi ndryshimet të enjten, duke rritur të gjitha nivelet me të paktën 1 dollar në muaj, një lëvizje e fundit për të rritur të ardhurat ndërsa konkurrenca në “luftën e streamingut” bëhet më e fortë.

Plani me reklama i Netflix tani do të kushtojë 8.99 dollarë në muaj, nga 7.99, ndërsa plani standard shkon në 19.99 dollarë nga 17.99.

Niveli premium, opsioni më i shtrenjtë, rritet në 26.99 dollarë në muaj, nga 24.99.

Abonentët që ndajnë llogaritë me persona jashtë familjes do të paguajnë gjithashtu më shumë, me tarifa shtesë për anëtarë që arrijnë 6.99 dollarë për llogaritë me reklama dhe 9.99 për abonimet pa reklama.

Rritja e çmimeve ka shkaktuar zemërim të madh tek klientët, të cilët e kanë kritikuar kompaninë për faktin se po përpiqet të rrisë të ardhurat, edhe pse ishte në proces të blinte Warner Bros për 82 miliardë dollarë.

“Ky është streamflacion. Netflix po teston butonin e anullimit,” shkroi një abonent i irrituar në rrjetet sociale. Të tjerë kritikuan përmbajtjen: “Çmimet rriten çdo muaj, por programet bëhen gjithnjë e më të këqija.”

Rritja vjen pas një lëvizjeje të ngjashme në janar 2025 dhe ndërkohë që Netflix po investon miliarda dollarë në seri të reja, filma dhe projekte live. Në fund të 2025, Netflix raportoi se baza e abonentëve kishte kaluar 325 milionë globalisht.

Drejtuesit e kompanisë shpjeguan se kostot më të larta të abonimeve janë të nevojshme për të financuar investimet rekord në përmbajtje dhe për të zgjeruar aktivitetin në evente live dhe video-podkaste.

Por për shumë familje që përdorin disa shërbime streaming, kjo rritje pritet të thellojë frustrimin për kostot e larta mujore të argëtimit.

Abonentët kanë ndarë pakënaqësitë në rrjetin X, duke theksuar: “Greed i këtyre korporatave nuk ka shoq.” Disa të tjerë shënuan se rritja e fundit ishte e dyta brenda një viti, duke e çuar Premium në 27 dollarë/muaj, çmim që afërsohet me atë të kabllove tradicionale.

Netflix ka rritur gradualisht çmimet në vitet e fundit për të arritur fitim, duke mbrojtur vendimin me librarinë në rritje të përmbajtjes origjinale dhe me zgjerimin agresiv në formatet e reja të programimit.

Për vitin 2026, kompania planifikon të shpenzojë 20 miliardë dollarë për përmbajtje, duke përfshirë filma blockbuster, seri televizive, evente sportive live dhe programim interaktiv, për të mbajtur abonentët të angazhuar dhe për të reduktuar anulimet.

Netflix gjithashtu po zgjeron veprimtarinë në argëtim live dhe video-podkaste, duke synuar burime të reja të të ardhurave dhe diferencim nga konkurrentët.

Çmimet më të larta mbeten një element qendror i strategjisë, pasi të ardhurat totale pritet të arrijnë 50.7–51.7 miliardë dollarë në 2026, duke kombinuar rritjen e abonentëve me rritjen e tarifave.

Plani me reklama, tani me 8.99 dollarë, po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për biznesin e Netflix, duke ofruar një hyrje më të lirë dhe të ardhura shtesë nga reklamat. Ndërkohë, kompania ka forcuar kontrollin mbi ndarjen e fjalëkalimeve, duke bërë që tarifat shtesë për anëtarët e jashtëm të kthejnë llogaritë e ndara në abonente paguese.

Për shumë abonentë, këto rritje të vogla por të vazhdueshme bëhen të ndjeshme, sidomos për familjet që përdorin edhe platforma të tjera si Disney+, Hulu, Max dhe Amazon Prime Video.

Analistët e industrisë vlerësojnë se lëvizja e fundit reflekton një trend më të gjerë, ku kompanitë po rrisin çmimet për të kthyer biznesin e abonimeve në një burim të qëndrueshëm fitimi. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement