LDK në njërën anë thotë që nëse nuk arrihet marrëveshja atëherë fajin për këtë e ka LVV si fituese e zgjedhjeve, kurse në anën tjetër e kërkon gjysmën e pushtetit, plus Presidentin, sepse sipas tyre kanë fituar vota ‘gati’ sa LVV. Këto dilema, dhe plot të tjera që i kemi parë këto javët e fundit, do të mund të sqaroheshin edhe me një palë zgjedhje të reja. Kurse ato zgjedhje do të mund të ishin një mundësi e mirë për disa nga ne që të mos shpresonim dy herë gabimisht.
Berat Buzhala
Zakonisht ndodh kështu: Sa herë që e dëgjoj një shqiptar duke thënë që 99 për qind e punës është e kryer, në fund del që ai 1 përqindshi i mbetur ngadhënjen. Të tillë duket që e kemi fatin edhe në rastin e marrëveshjes për një qeverisje të përbashkët në mes të LDK’së dhe LVV’së. Fillimisht na ishte thënë që vetëm po e presin certifikimin e rezultateve zgjedhore, sepse pastaj marrëveshjen do ta përfundojnë sa ku njeriu e pin një espresso. Madje thoshin që shumë më problematik është harmonizimi i planeve qeverisese, se sa cila parti do të marrë sa ministri, ose se kujt do t’i takojë cila pozitë shtetërore. Kjo ishte një muzikë të cilën veshët tanë kishin nevojë ta dëgjonin. Hej, më në fund do ta kemi një koalicion qeverisës, për të cilët më i rëndësishëm është plani qeverisës se sa individet që do ta implementojnë. Duke e pasë në mendje qeverinë që ishte – e që fatkeqësisht ende është – duke i pasë parasysh fjalët e ëmbla që po i dëgjonim prej këtyre që po pritej të vinin, secili prej nesh dëshironte të shpresonte që do të mund të jetonte së paku sa për ta parë edhe këtë qeveri.
U certifikuan rezultatet. U harmonizua edhe
plani. U realizuan edhe takimet e shumëpritura në mes të dy liderëve të dy
partive. Presidenti e thirri edhe mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të Kosovës,
e cila do të mbahet nesër, por pushka e LVV’së dhe LDK’së nuk bëri bam. Përkundrazi
tash në mbrëmje e dëgjuam përmes një videomesazhi liderin e LVV’së duke na e dhënë
lajmin e keq, se mëgjithatë nuk ka marrëveshje. Tym i zi prej të dyja oxhaqeve.
Palët, përkundër përpjekjeve, nuk kishin arritur të merreshin vesh saktësisht për
atë që kishin thënë që është gjëja më e lehtë në të gjithë këtë proces: cila
parti do të marrë cfarë dhe cila parti do të zgjedhë e para.
Në fakt gjatë gjithë kësaj kohe duket që përpjekje për të gjetur një zgjidhje
ka bërë vetëm LVV, ndërsa LDK i ka qëndruar stoike pozicionit të saj fillestar
që i duan pesë ministri, presidentin, kryeparlamentarin, një nënkryeparlamentar
dhe një zëvendëskryeministër. Sipas LDK’së votuesi kishte vendosur kështu, pra
për ndarje të barabartë të pushtetit, duke i pasë parasysh edhe votat ‘gati’ të
barabarta.
Këtu e kemi një shkarje të vogël logjike.
Gjatë kësaj kohe e kemi dëgjuar LDK’në duke thënë se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon LVV’së, sepse ata janë fitues të zgjedhjeve.
Prit pak!
Si është e mundur që kur është fjala për përgjegjësi,
atëherë ajo i takon në shkallën 100 për qind LVV’së, sepse i paska fituar
zgjedhjet, kurse kur është fjala për ndarjen e pozitave shtetërore, atëherë ajo
duhet të bëhet 50/ 50, sepse votat ishin ‘gati’ të barabarta. Është e pamundur
ta justifikosht këtë pozicion të LDK’së. Ata po kërkojnë që nëse nuk krijohen
institucionet, elektorati ta dënojë LVV’në për paaftësi në krijimin e tyre,
kurse nëse ndërtohen ato ajo t’i marrë 50 për qind të pozitave, plus
Presidentin. Kurse në ndërkohë LDK gjatë gjithë kësaj kohe nuk është shquar me
asnjë iniciativë kreative për ta zhbllokuar situatën. Krejt cfarë kemi parë
prej këtij subjekti është që ata kanë qëndruar me digitron në dorë duke i
kalkuluar përqindjet, pastaj të njëjtat duke i vënë në peshore për të parë nëse
ishin krejtësisht të njëjta. Në momentin kur sipas llogarive të tyre e kanë
nxjerrë përqindjen e saktë, se cka quajmë 50 për qind, ata janë ngujuar në
selinë e tyre duke pritur përgjigje nga LVV. Kohë pas kohe i kemi parë duke dalë
prej selisë së tyre në Qafë, të ngrysur dhe të mendueshëm, sikur dikush po i
detyronte të bënin një sakrificë sublime për shtetin e Kosovës. E vërteta është
se LDK është në këtë pozitë që është vetëm falë faktit që LVV ia ka ngushtuar
vetës rrugën, duke i përjashtuar nga ekuacioni partitë tjera politike, e
gjithashtu duke e përjeshtuar mundësinë që të krijojë një qeveri me ndihmën e
votave të Listës Serbe. Ne të gjithë e kemi përkrahur këtë qasje të LVV’së,
duke shpresuar që LDK nuk do të abuzojë nga ekskluziviteti që i ishte
paraqitur. Mirëpo fatkeqësisht një gjë e tillë po ndodhë. LDK jo vetëm që nuk
po i pranon ofertat e LVV’së, por edhe po qëndron e mbyllur brenda zhguallit të
vet, duke e nxjerrë kokën prej aty vetëm sa për ta lexuar dhe refuzuar ofertën
e re të Kurtit. Pastaj kohë pas kohë dalin në media dhe thonë se “janë të
gatshëm për të shkuar në opozitë”. Tash si duket është momenti për t’u thënë
që “nuk po shkoni në opozitë, por po shkojmë edhe njëherë në
zgjedhje”. Duke i ditur të gjitha zhvillimet e javëve të fundit, duke i
pasë në mendje figurat që folën në emër të LDK’së pas 6 tetorit, ne të gjithë e
dimë se cfarë rezultati zgjedhor do të mund të kemi në zgjedhjet e ardhshëm.
Madje, për më tepër, ne të gjithë do të shpresojmë që në ato zgjedhjet e
ardhshme, kurdo që do të mbaheshin ato, kandidatë për kryeministër nga LDK do të
ishin ose Agim Veliu, ose Lutfi Haziri. Do të ishte një mundësi e mirë që LDK të
shfaqej pa maska. Kurse ato zgjedhje do të mund të ishin një mundësi e mirë për
disa nga ne që të mos e bënim të njëjtin gabim dy herë, ose të mos shpresonim
gabimisht dy herë.