Si një votues sporadik i LDK’së, e kam votuar LDK’në në tri palë zgjedhje të përgjithshme që nga përfundimi i luftës, unë nuk e kuptoj se ku është levërdia e Mustafës dhe ekipit të tij që ta shkarkojë Vjosën saktësisht në këto moment politik. Përvec inatit.
Berat Buzhala
Do të ishte një detyrë tepër e rëndë për ta justifikuar qëndrimin e mëtutjeshëm
të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike. Kjo zyrtare kaq e rëndësishme e partisë
më të vjetër në vend ka kohë që është me një këmbë brenda e me një tjetër jashtë,
por ja që kjo ishte mënyra origjinale e saj e të bërit politikë. Prej kur LDK
kishte pranuar që të bënte koalicion me PDK’në në vitin 2014 Vjosa Osmani ka qënë
de fakto fraksion brenda këtij subjekti. Mirëpo ndonëse fraksion, ajo duke qëndruar
brenda partisë vetëm e ka ndihmuar atë, duke ia sjellë edhe një numër të
lakmueshëm të votave anti – PDK, të cilin subjekt e kanë parë si rivalin
kryesor. Në fakt PDK është letra kryesore politike e Vjosës. Ajo është rritur, është
popullarizuar duke e kundërshtuar PDK’në dhe Thacin, më shumë se sa për ndonjë
temë tjetër specifike. Parimisht Vjosa dhe Isa Mustafa nuk kanë dallime
ideologjike, ose unë nuk e di që kanë të tilla. Të dytë e konsiderojnë vetën të
djathtë, të orientuar për ekonomi të lirë të tregut, kosovocentrik etj., etj. Këta
nuk janë pajtuar vetëm për Thacin, e tash së fundmi edhe për prishjen ose jo me
LVV’në. Mirëpo, a mjaftojnë këto arsye për t’u ndarë? Parimisht nuk do të duhej
të ishin arsye të mjaftueshme, por praktikisht u bë i pamundur qëndrimi nën një
kulm. LDK, ose strukturat e kësaj partie të drejtuara nga Mustafa tash e 6
vjet, shkon në një drejtim, kurse Vjosa, bashkë me një pjesë të elektoratit të
kësaj partie, në një drejtim tjetër. Vjosa si deputete nuk e ka votuar kurrë
asnjë qeveri, e as qeveritë e udhëhequra nga LDK, as atë të Mustafës e as këtë
të Hotit. Prandaj, cfarë kuptimi ka që të qëndrohet edhe më tutje nën një kulm.
Dhe këtë po e thëm pa dashur që ta gjëj fajtorin. Sikur kur ndodhë një divorc
martesor, edhe në këtë divorc politik secila palë ka arsye të pafundme, vetëm a
je i gatshëm që t’i dëgjosh të gjitha ato.
Sido që të jëtë,
si një votues sporadik i LDK’së, e kam votuar LDK’në në tri palë zgjedhje të përgjithshme
që nga përfundimi i luftës, unë nuk e kuptoj se ku është levërdia e Mustafës
dhe ekipit të tij që ta shkarkojë Vjosën saktësisht në këto moment politik. Bie
fjala, nëse bash kanë dashur që ta përjashtojnë këtë rebele, atëherë shumë më e
logjikshme ka qënë që këtë ta bëjnë në vitin 2014, kur ajo ishte ende
relativisht e parëndësishme dhe dëmi që ai do të mund ta bënte do të ishte i
menaxhueshëm. Po e përsëris, nuk është aspak e lehtë për një subjekt politik
sic është LDK ta shpërfillë atë. Intervistat e saj, votat e saj, rezistenca e
saj, natyrshëm nxitë kundërreagim. Është vështirë të qëndrosh neutral. Mëgjithatë
një reagim i tillë është shkurtpamës. LDK assesi nuk do të përfitojë prej kësaj
situate. Sigurisht që as Vjosa. Kjo është një situatë kamikaze. Të dyja palët
do të humbin. LDK një pjesë të mirë të elektoratit, kurse Vjosa mundësinë për
ta marrë kontrollin e partisë. Ajo ndoshta do ta marrë kontrollin e ndonjë
partie, duke e themeluar një të re por ajo parti kurrë nuk do të jetë partia më
e madhe në vend. Ajo parti kurrë nuk do ta ketë historinë e LDK’së. Nëse nuk me
besoni pyeteni Nexhat Dacin, një politikan karizmatik, kokëfortë, egomaniak. Në
goditjen e parë jashtë LDK’së ai kishte arritur që t’i fitonte mbi 10 përqind të
votave, duke ia dhuruar kështu fitorën PDK’së së Hashim Thacit në vitin 2007.
Kushdo që mendon që duke e larguar Vjosën gjërat do të vazhdojnë të mbesin të
njëjta, atëherë nuk merr vesh në politikë. Gropa që do të mbetet pas largimit të
saj nuk do të mbushet lehtë. Ajo do të vërehet më së miri në zgjedhjet e
ardhshme, kurdo që do të mbahen ato. Prandaj, duke e larguar Vjosën, LDK e ka përjashtuar
vetën si kandidate për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme. Kryetari Mustafa do të
duhej ta tejkalonte edhe këtë situatë, duke mos rënë pré e emocioneve. Vjosa ka
qënë dhe mbetet një vlerë elektorale e pazëvendësueshme në LDK.