Problemi qenësor është pikërisht tek fakti që burrat flasin dhe vendosin për gratë. Problem, po ashtu, është fakti që vetëm gratë që mendojnë se dinë për çështjet gjinore flasin për gratë. Problem edhe më i madh, të paktën deri tash, është se shumë burra që kanë çfarë për të thënë për çështje gjinore, nuk i shkruajnë dhe nuk i flasin ato, në mënyrë që çështjen gjinore t’ua lënë vetëm profesionistëve të barazisë gjinore. Ky i fundit, madje, guxoj të them, është një nga problemet më të mëdha. Andaj ky shkrim le të jetë kontribut modest drejt problematizimit
Krenar Gashi
Këtë shkrim po e shkruaj për burrat dhe djemtë. Së këtejmi, është shkrim përplot kritikë për gratë dhe vajzat. Kësisoj, besoj që nuk do ishte keq që shkrimin ta lexojnë edhe gratë, sidomos gratë që besojnë se janë të pavarura, të zonjat, të lira e të emancipuara. Gratë e vajzat që besojnë në lëvizjen feministe, ato që nuk besojnë në të, si dhe ato që nuk kanë haber për këtë punë. Do të doja, sidomos, që këtë shkrim ta lexojnë feministet, kinse-feministet por edhe feministet tradicionale, funksionale e ndërseksionale.
Por, t’i kthehem lexuesve të mi burra dhe atyre pak djemve që kanë kohë e durim të lexojnë shkrime të gjata të një burri. Sepse, fundja, ky është shkrim për burra. Burra me k*r të madh apo me k*r të vogël, burra që k*rit i referohen si penis, por edhe për ata që k*rin ende e thërrasin pec. Shkrimi pra i kushtohet burrave me taqe e mustaqe, atyre me kravatë, atyre që nuk i duan gratë, që i duan veç në rrjete sociale, ku, madje, i duan edhe gratë e huaja, si dhe atyre që me të vërtetë i duan gratë.
Do të doja shumë që të më lexonin edhe ata burra që gratë i shohin ende si pronë të tyre. Mund të besoni se ky shkrim nuk arrin dot tek ta, por do të çuditeshit se sa prej nesh, burrave, shpesh e bëjmë të njëjtën gjë. Andaj nëse deri tash në këtë kategori nuk e ke përfshi veten, ti, po po pikërisht ti, lirisht përfshije tash. Jam i bindur, se në mos brenda një jave, të pakën brenda këtij muaji ke kaluar nëpër një moment në të cilin, për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo rrethana, të paktën një grua e ke konsideruar, në mos pronë, të paktën objekt. E di, sepse njëjtë, jam i sigurt, kam bërë edhe unë. Fundja, nuk do isha burrë po që se nuk do të isha superior ndaj një gruaje, të paktën një herë në javë, apo jo? (kujdes sarkazmin si dhe de-ekzagjerimin)
Meqë shkrimi thash që është për burrat, si burrë, më duhet të të them që në fillim se për këtë objektizim të grave, ti, lexuesi burrë, nuk ke faj. Jo veç pse kështu je mësuar, jo veç pse është lehtë apo pse thjesht konteksti ta ka diktuar një gjë të tillë, por me të vërtetë, mes meje e teje, pra mes burrash, nuk ke faj. Thash, të kuptoj, sepse e bëj edhe unë, ani pse më duhet të them se përgjatë kësaj karantine nuk mund ta kujtoj herën e fundit kur të kem qenë seksist. Por seksistë jemi, të gjithë, pra edhe ti, burri lexues. Sepse, tek e fundit, ti je burrë i mirë, e respekton barazinë gjinore dhe mundohesh që gruas tënde dhe grave përreth, në përgjithësi, t’ua respektosh agjencinë. Po pra, atë agjencinë që e ke mësuar në shkollë, atë aftësinë për të vepruar, që e dallon objektin prej subjektit. Andaj, nuk është faji yt që nganjëherë, nuk mund të dalësh zot mbi kontekstin patriarkal, të kohës e të rrethanave. Nuk ke faj, nëse, ndonjëherë, të del bureku.
Ku ke faj ti që gratë e vajzat thjesht nuk përkojnë me sistemet aktuale, apo, siç thotë “i madhi” (lexo: k*rmadhi) Jordan Petersen, gratë thjesht nuk mund t’i bëjnë disa punë më mirë se burrat? Nuk ke as ti as Petersen faj që nuk mund ta kuptoni se si gjithë sistemet njohëse, kuptimbërëse dhe kuptimdhënëse, gjithë aparatet përmes së cilave ne e dimë kush jemi dhe çfarë na rrethon, në një mënyrë, janë krijuar nga burrat dhe veç për burrat.
Lexoje edhe një herë fjalinë e fundit. Edhe një herë. Nëse ende po të tingëllon si diçka për të cilët burrat duhet të krenohen, atëherë ti vazhdo të mos kesh faj. Kjo sepse, në këtë kohë në të cilën jetojmë, ti mbase je rast i humbur, që mbase edhe nuk arrin dot te ky shkrim. Por esenca, për juve burrave që megjithatë po vazhdoni të lexoni, është se burrat dhe gratë jo veç që nuk janë të barabartë në çfarëdolloj vlerësimi strukturor, por, më shumë, nuk mund të jenë të barabartë, përderisa të gjitha sistemet strukturore janë krijuar veç nga burrat, veç për burrat, për shekuj me radhë. Dhe, kur them nuk mund të jenë të barabartë, vetë ky mbiemër, pra i barabartë, në sistemin tonë gjuhësor, sapo të kthehet në shumës bëhet menjëherë mashkullor. Andaj edhe shumë njerëz të penës sot vazhdojnë ta përdorin femëroren për të përshkruar kategoritë asnjënëse, veç për të treguar kontrastin që një gjë e tillë krijon në përceptimin tonë, e mbase edhe nëndije. Pra, sapo të përdoret qytetarja, policja, inxhinierja e gazetarja, në vend të ekuivalenteve mashkullore, siç kam bërë shpesh edhe unë, leximi na duket pak si më i parehatshëm… Disi, sikur me ndërrimin e gjinisë gramatikore po ua humbim apo po ua ndryshojmë gjithë kuptimin emrave. Si eksperiment, mbase na mjafton për të kuptuar se sa patriarkale është bota, shoqëria, vendi ynë dhe vetë gjuha jonë.
Do duhej kuptuar lehtë se ky konstrukt social, ky realitet që kemi ndërtuar për mbi 5,000 vjet historikisht, është ndërtuar nga burra dhe për burrat. Se gratë, janë duke u munduar të integrohen në këtë sistem si të barabarta veç në shekullin e fundit dhe se gjithë ky mund, pavarësisht se sa secili prej neve bën, nuk do të rezultojë në kurrfarë ndryshimi radikal apo përmirësimi të përnjëhershëm. Se gratë, pavarësisht se sa të drejta kanë dhe sa te drejta marrin, nuk mund të ushtrojnë hegjemoni ndaj burrave, asnjëherë. Se feminizmi nuk është dhe nuk mund të jetë i drejtuar kundër burrave. Se feminizmi nuk është dhe nuk mund të jetë lëvizje e grave, por është dhe duhet të jetë lëvizje për gratë.
Kësisoj, në aspektin e përditshmërisë, kritika gjinore nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Dhe nëse e lexuat këtë paragraf, atëherë nuk keni si ta mohoni, të paktën jo me arsye. Prandaj, tash e tutje… tash e tutje ti ke faj për secilën herë që je seksist. Njëjtë sikur unë. Sepse, ani pse nuk mund ta dimë asnjëherë se si është të jesh grua, e dimë, me gjithë faktet dhe arsyen, se nuk është njëjtë, se pushteti i burrave rëndon mbi gratë edhe atëherë kur nuk e kemi idenë se kjo po ndodhë.
Barazia gjinore, pra, burra, nuk ka të bëjë me numrin e grave në parlament, as me faktin që asistentja juaj është grua, apo një grua mes shumë burrash, diku, qenka e barabartë. Barazia gjinore është domosdoshmëri historike, etike, e njerëzore, e cila, ani pse mund ta dimë se nuk mund të arrihet përmes çfarëdo lloj veprimi të vetëm individual e kolektiv, duhet të jetë qëllim ideal i gjithë veprimeve tona, individuale e kolektive.
Nëse s’pajtohesh, prapë ne rregull, veç se dije që je seksist, dhe, të paktën unë, tash e tutje, nuk do ta kem fare telashe të të thërras publikisht si të tillë.
Po për çka ishte ky shkrim? Paj, për vetë shkrimin. Edhe ky shkrim imi është goxha kot, si puna e feminizmit, kur për të flasin burrat dhe vetëm burrat, ose gratë dhe vetëm gratë. Në fakt, problemi qenësor është pikërisht tek fakti që burrat flasin dhe vendosin për gratë. Problem, po ashtu, është fakti që vetëm gratë që mendojnë se dinë për çështjet gjinore flasin për gratë. Problem edhe më i madh, të paktën deri tash, është se shumë burra që kanë çfarë për të thënë për çështje gjinore, nuk i shkruajnë dhe nuk i flasin ato, në mënyrë që çështjen gjinore t’ua lënë vetëm profesionistëve të barazisë gjinore. Ky i fundit, madje, guxoj të them, është një nga problemet më të mëdha. Andaj ky shkrim le të jetë kontribut modest drejt problematizimit. p.s. Shkrimi është shkruar përpara se deputeti Pal Lekaj ta iluminonte popullin e Kosovës për domethënien e feminizmit.