Në Shkodër, një nga zonat më të prekura nga dhuna e regjimit komunist, u mbajt simpoziumi shkencor “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, në përkujtim të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Kryeqendra e Veriut, për shkak të afërsisë me kufirin e Malit të Zi, ishte gjatë diktaturës një nga pikat më të militarizuara të vendit, ku shumë shqiptarë humbën jetën në përpjekje për t’i shpëtuar regjimit.
Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, studiues, ish-të përndjekur politikë, familjarë të viktimave, si dhe autoritete vendore e universitare.
“Ne të gjithë e dimë se përballja me të shkuarën nuk është e lehtë, por është thelbësore. Duhet të bëhet. E vërteta, drejtësia dhe kujtesa janë gurët e themelit për shërimin e një shoqërie dhe për t’u siguruar që kjo shoqëri të ndërtohet mbi pajtimin. Dhe historia europiane na tregon se demokracia është më e fortë aty ku shoqëritë përballen hapur dhe me ndershmëri me kapitujt e tyre më të errët. Përballja me të shkuarën kërkon vullnet politik, kërkon ligje, kërkon burime dhe bashkëpunim aktiv nga institucionet, edukatorët, mediat, artistët dhe komunitetet. Nuk mund të lejojmë që njerëzit të ndërronin jetë pa marrë drejtësinë që u takon”, tha Silvio Gonzato, ambasador i BE.
Gjatë simpoziumit u prezantua edhe projekti për memorialin “Muri i Gjakut”, që do të shërbejë si hapësirë e përhershme kujtese për qindra viktima të regjimit në këtë zonë.