Planeti më i afërt i Tokës është hëna, derisa shkencëtarët janë ata që kanë luftuar për të zbuluar misterin e origjinës së hënës për qindra vjet. Që nga vitet 1980, ekspertët kanë supozuar se sateliti ynë u formua pas një përplasjeje eksplozive me protoplanetin Theia, në fazat e hershme të historisë së Tokës.
Por tani, një studim sugjeron që kjo teori e quajtur ‘përplasje’ mund të mos jetë e saktë. Përkundrazi, studiues nga Universiteti Penn State thonë se Toka mund ta ketë kapur hënën teksa ajo lëvizte pranë saj në një proces të quajtur kapja binare apo shkëmbimi.
Kjo teori radikale sugjeron se hëna mund të ketë filluar jetën si pjesë e një “binari tokësor,” një çift trupash shkëmborë që rrotulloheshin rreth njëri-tjetrit. Ndërsa ky çift kalonte brenda tërheqjes së Tokës, hëna u tërhoq në orbitë, ndërsa trupi i dytë u shty jashtë në hapësirë.
“Askush nuk e di me saktësi si është formuar hëna. Për katër dekada, kemi pasur një mundësi për të shpjeguar se si ka ardhur aty ku është. Tani, kemi dy”, tha studiuesi i këtij projekti, profesori Darren Williams.
Në vitin 1984, shkencëtarët u mblodhën në Konferencën Kona në Hawaii për të arritur një konsensus mbi formimin e hënës. Duke përdorur 363 kilogramët e materialit hënor të kthyer nga misionet Apollo të NASA-s, shkencëtarët zbuluan se hëna kishte një përbërje kimike të ngjashme por jo identike me Tokën. Nga kjo provë, ata arritën në përfundimin se hëna duhej të ishte formuar nga mbetje të shkëputura, kur një trup qiellor goditi Tokën e re.
Kjo teori ishte popullore sepse përshtatej mirë, më shumë nga ato që dimë tani për përbërjen kimike të hënës – por nuk i shpjegon të gjitha detajet. Për shembull, profesori Williams dhe bashkautori i tij vënë në dukje se, nëse hëna do të ishte formuar nga një unazë mbeturinash që kondensohej ngadalë në një sferë, pritej që ajo të ishte në orbitë mbi ekuator.
Megjithatë, orbita e hënës është në fakt e anuar në një plan krejtësisht të ndryshëm, rreth shtatë gradë larg nga plani ekuatorial. Për të gjetur një shpjegim alternativ për këtë, studiuesit u përqendruan në një fenomen të quajtur kapja binare apo shkëmbimi.
Kjo sugjeron se Toka mund të ketë kapur një nga një çifte trupash shkëmborë që kalonin dhe e ka kthyer atë në satelit të saj. Në mbështetje të kësaj ideje, profesori Williams sjell si shembull Tritonin, hënën më të madhe të Neptunit. Teoritë aktuale sugjerojnë se Tritoni u tërhoq në orbitën e Neptunit nga Brezi Kuiper, ku një në dhjetë objekte mendohet të jetë binar.
Ashtu si hëna jonë, Tritoni ka një orbitë tërësisht të anuar, duke devijuar 67 gradë larg ekuatorit të planetit. Dhe, sipas modeleve matematikore, është mjaft e mundur që e njëjta gjë të ketë ndodhur edhe me hënën tonë.
Në studimin e tyre, të publikuar në The Planetary Science Journal, studiuesit llogarisin që Toka mund të ketë kapur një objekt që kishte mes një dhe dhjetë për qind të masës së saj totale. Me vetëm 1.2 për qind të masës së Tokës, hëna bie qartë brenda këtij diapazoni. Kushti i vetëm është që binari planetar duhet të kishte kaluar brenda një distance prej vetëm 80,000 miljesh (128,750 km) nga Toka, me një shpejtësi më të ulët se 6,700 milje në orë (10,800 km).
Megjithëse kjo mund të duket shumë shpejt, në shkallën e sistemit diellor është ekuivalente me një ecje të ngadaltë. Problemi është se, edhe me këto shpejtësi të ulëta, kur erdhi fillimisht, orbita e hënës do të kishte qenë shumë eliptike, e ngjashme me atë të një komete rreth diellit. Megjithatë, studiuesit tregojnë gjithashtu se si kjo orbitë do të kishte evoluar nën ndikimin e forcave baticore.
Teksa hëna rrotullohet rreth Tokës, batica ngel prapa orbitës së saj, duke ushtruar një tërheqje gravitacionale që do të kishte qetësuar gradualisht orbitën e saj të çrregullt. Me kalimin e mijëra vjetëve, kjo tërheqje e vazhdueshme do ta kishte bërë orbitën më të rregullt dhe të rrumbullakosur, derisa u vendos në orbitën e ngushtë që ka sot.
“Sot, batica e Tokës është përpara hënës; baticat e larta përshpejtojnë orbitën. I jep një shtysë të lehtë. Me kalimin e kohës, hëna largohet pak më shumë”, thotë profesori Williams. Tani hëna është kaq larg sa që edhe dielli dhe Toka e tërheqin, duke bërë që ajo të largohet rreth 3 cm çdo vit.
Kjo teori ka disa avantazhe kryesore, pasi shpjegon pse orbita e hënës është kaq e anuar dhe llogarit praninë e izotopeve të caktuara kimike të gjetura në hënë, por jo në Tokë. Studiuesit pranojnë se teoria e tyre do të jetë e vështirë për t’u provuar dhe mbështetet në disa ngjarje “të pamundshme” që ndodhin njëkohësisht.
Megjithatë, Profesori Williams këmbëngul që kapja binare-shkëmbimi është një alternativë e vlefshme ndaj teorisë standarde të përplasjes dhe një që meriton më shumë vëmendje. Studiuesit argumentojnë se binarët planetarë mund të kenë qenë më të zakonshëm në sistemin diellor të hershëm dhe mund të kenë kontribuar në krijimin e hënës.
“Kjo hap një thesar të ri pyetjesh dhe mundësish për studime të mëtejshme”, shton në fund profesori Williams. /Daily Mail/ GazetaExpress/