Një lajm “bombë” vjen nga Amerika. Klubi i basketbollit Los Angeles Lakers është bërë me pronar të ri.
Njëri prej klubeve më të mëdhenj në histori të NBA-së në fakt ka ndryshuar pronësi pas plot 46 vjetësh.
Sipas mediave amerikane, familja Buss, e cila kishte kontroll të plotë të klubit të verdhë që nga viti i largët 1979, ka arritur marrëveshje për shitjen e shumicës së aksioneve tek Mark Walter, shef ekzekutiv dhe drejtues i TWG Group, një kompani investimi që e kishte tashmë një pjesë të vogël të aksioneve të klubit që nga viti 2021, ndërsa njihet si kompani që investon shumë në botën e sportit, përcjell “Gazeta Express”.
Ndonëse nuk ka shifra zyrtare të shitjes, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen lajmi se bëhet fjalë për një shumë marramendëse prej 10 miliardë dollarësh.
Kjo është një shifër shumë më e lartë sesa ajo e Boston Celtics, klub tjetër i NBA-së që vetëm pak muaj më parë u shit për 6,1 miliardë dollarë.
Nëse kthehemi gati një gjysmë shekulli më parë, Jerry Buss e kishte blerë klubin Los Angeles Lakers nga Jack Ken Coocke për 67,5 milionë dollarë.
Me udhëheqjen prej më shumë se katër dekadash, familja Buss e kishte bërë Lakersin njërin prek klubeve më të suksesshëm në histori të NBA-së.
Natyrisht, kjo familja e lë klubin në duar të sigurta pasi Mark Walter duket mjaft ambicioz dhe synim i tij është që ta rikthejë dominimin e Lakers në ligën më të fortë në botë të basketbollit. /Gazeta Express