Edhe pse frutat konsiderohen një pjesë thelbësore e një diete të shëndetshme, ekspertët paralajmërojnë se edhe ato duhet të konsumohen me masë.
Sipas dietologes Arti Dhokia, konsumimi i tepërt i frutave mund të sjellë disa pasoja të papritura për shëndetin.
Ajo thekson se shumica e njerëzve nuk konsumojnë mjaftueshëm fruta, por në raste të caktuara, tejkalimi i sasisë së rekomanduar mund të ndikojë negativisht, sidomos tek personat me probleme shëndetësore ekzistuese.
1. Shtim i papritur në peshë
Frutat përmbajnë sheqer natyral (fruktozë), i cili siguron energji. Kur kjo energji nuk përdoret nga trupi, mund të shndërrohet në yndyrë, duke çuar në shtim në peshë.

2. Mungesë e lëndëve ushqyese të tjera
Një dietë e dominuar nga frutat mund të kufizojë marrjen e ushqyesve të rëndësishëm nga grupet e tjera ushqimore, si vitamina B12, kalciumi, vitamina D dhe acidet yndyrore omega-3.
3. Ndikim tek personat me diabet
Për ata që vuajnë nga Diabetes Mellitus, konsumimi i sasive të mëdha të frutave – veçanërisht në formë lëngjesh – mund të rrisë nivelin e sheqerit në gjak. Ekspertët rekomandojnë konsum të moderuar dhe preferimin e frutave të plota, rreth tre porcione në ditë.

4. Probleme me shëndetin dentar
Sheqernat natyrale në fruta, të ngjashme me ato në ushqimet e përpunuara, mund të rrisin rrezikun për prishjen e dhëmbëve, sidomos nëse konsumohen shpesh gjatë ditës.
5. Konsum i tepërt i lëngjeve të frutave
Lëngjet e frutave shpesh humbasin fibrën gjatë përpunimit, duke bërë që sheqeri të përthithet më shpejt në organizëm. Kjo mund të çojë në konsum të lartë kalorish dhe sheqeri pa ndjesinë e ngopjes.

Sa fruta duhen konsumuar?
Sipas rekomandimeve, një sasi e shëndetshme është rreth 2 deri në 5 porcione fruta në ditë. Një porcion është afërsisht sa madhësia e një topi tenisi. Frutat duhet të përbëjnë rreth 25–30% të dietës ditore.
Ndërsa për lëngjet e frutave, këshillohet kufizimi në një gotë të vogël (rreth 150 ml) në ditë.
Në përfundim, edhe pse frutat janë të dobishme për shëndetin, balanca dhe moderimi mbeten çelësi për të shmangur efektet e padëshiruara. /GazetaExpress/