Shamia «bizantine» e një avokati “katolik” - Gazeta Express
string(38) "shamia-bizantine-e-nje-avokati-katolik"

Shamia «bizantine» e një avokati “katolik”

Gazeta Express

20/08/2020 10:14

Sërish kërkojnë shaminë në shkollat e shtetit. Kësaj radhe për lider të kauzës kanë zgjedhur një avokat të “besimit katolik”. Si e argumenton “ultimatumin” e tij Arianit Koci?

Avokati Arianit Koci dje kërkoi mos-diskriminimin e vajzave që duan të shkojnë në shkollë me shami. Jo me çdo lloj shamie. Pasi “shamia” specifike, sipas Kocit nuk është e ndaluar me ligj, por vetëm me një udhëzim të ministrisë që rregullon dhe mbikëqyr shkollat ai qenka antikushtetues. Media periferike plasuan saora “fatwën” e Kocit portaleve të tyre. Bazën juridike për këtë hipotezë ai e vjel nga nenet 38 (2) dhe 48 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. I citojmë:

Lexo Edhe:

38 (2): Titulli: Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë. Alineja 2: Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar.

48 (2): Liria e Artit dhe e Shkencës. Alineja 2. Liria akademike është e garantuar.

Sipas këtij argumentimi “shamia” është e drejta për të manifestuar [1] fenë. Sipas reagimit kjo qenka e kufizuar në Kosovë. Dhe kjo e drejtë manifestimi fetar qenka poashtu edhe liri akademike.

A është demonstrimi i përkatësisë fetare nëpërmjet një simboli të caktuar çështje lirie akademike? Ose liri artistike? Edhe pse nuk besojmë se shamibartëset nënkuptojnë trupin e tyre si pikturë mobile. Do të ishte kjo aferë çështje akademike nëse shteti do tu ndalonte me ligj studentëve që të hulumtojnë rreth “fenomenit të shamisë” brenda universiteteve. Forma se si zotëri Koci instrumentalizon kushtetutën është bizanteri e ekspozuar skeletçe. Bizanti edhe është burimi origjinal i shamisë. Jo Islami, por për këtë më vonë.

Tash si i koncepton një jurist aq i privilegjuar nga mediat [2] sferat publike. Çka është «publike» sipas tij? Sfera ku tubohen qytetarë privatë për të manifestuar apo praktikuar ritualet, interesat apo zbavitjet e tyre? Apo është publike siç e thotë fjalori shqip-shqip kësaj radhe konform esencës etimologjike siç kuptohet në gjithë botën. “Që i përket gjithë popullit, që është i hapur për të gjithë, i të gjithëve; që lidhet me jetën, me punën a me veprimtarinë e të gjithëve, që i shërben gjithë popullit, që mund ta përdorë kushdo; që administrohet nga shteti, i shtetit; botor. Opinioni (mendimi) publik. Transporti publik. Shërbimet publike. Sigurimi (rendi) publik. Qetësia publike. Vepra (ndërtime) publike. Lokal publik. Banjë (nevojtore) publike”.

Pra publike – në këtë kontekst – janë sferat ku ka kyçje çdokush pavarësisht moshës, gjinisë, përcaktimeve fetare, ideologjike, racore. Mund të hip e zbrit çdokush në autobus pa e penguar kush. Secili grup që merr lejen e organeve të rendit  mund të mbajë një tubim në shesh të Prishtinës? Ndal pak: merr leje?! E pse të marr leje? Sepse është sferë që e administron shteti. Dhe këtu erdhëm tek keqkuptimi kapital që e mbjell zotëri Koci. Shkolla nuk është vend publik ku mund të shkojë haxhica ime të arnoj brekët e gjyshit saherë ta shqetësojnë nuset apo vendi ku mblidhen gratë e katundit për tu llafosur në mungesë të burrave. Shkolla është institucion shtetëror në interes të publikut, një publiku të veçantë – fëmijëve! – dhe ku mbizotërojnë rregullat e tij. Rregulla që duhet të kenë karakter sekular, çka donë të thotë për të gjithë por për asnjërin me kërkesa ekskluzive e lere më synime të caktuara politike apo teokratike, ngase duhet mbrojtur secilin nga presioni i tjetrit.

Shkolla nuk është institucion publik i karakterit të tregjeve, agorave dhe kafeneve, xhamive e kishave, teatrove e stacioneve të autobusëve por institucion shtetëror. Prandaj udhëzimi i Ministrisë është ligjërisht në rregull. Pa udhëzime të tilla, sipas logjikës në fjalë, nesër do të shfaqet një kolonel i FSK me fes turk dhe minifund skocez apo me shajkash dhe opinga Shumadie dhe do të vajtojë për diskriminim po e penguan.

Pra nenet që përdor zotëri Koci i instrumentalizon gabimisht: Shprehja e fesë nuk është liri akademike apo artistike dhe e drejta e manifestimit publik të besimit nuk nënkupton detyrimin e institucioneve shtetërore t’iu nënshtrohen kërkesave të religjioneve të ndryshme. Religjionet as sektorin privat (ndërmarrjet) nuk duhet të kenë mundësi ta detyrojnë apo kushtëzojnë me ligjet apo në këtë rast me besëtytnitë e tyre parapolitike. Ose munden nëse ato vetvetiu janë bizantine – për shkak të oportunizmit apo planit të biznesit.

II.

Të pohosh se “shamia” është simbol që shpreh përkatësinë e besimit e jo akt demonstrativ teopolitik donë të thotë se nuk e ke studiuar Kuranin asnjëherë në jetë dhe nuk njeh zhvillimin kulturologjik të kokëmbulimit, respektivisht shamisë kur është fjala për gjininë femërore. Në kohën e profetit Muhamet shamia nuk ka qenë në modë. Në botën arabe dhe më vonë tek të tjerat depërton nga kodet bizantine dhe perse, të bartura nga osmanët edhe në Ballkan, të cilat pushtete perandorake kokë-mbulimin e grave e konsideronin sjellje të “kulturuar” (sidomos ndaj klerikëve dhe patriarkëve). Kurani vetë (Surja 24: 30) kërkon që gratë dhe burrat mos shikohen në sy për ta ruajtur nderin. Dhe tjetra Sure e vetme që merret për bazë lloj-lloj interpretimesh është ajo 33:59 kur i kërkohet profetit t’ua mbulojë gjokset grave dhe vajzave të tij që mos ngucen (seksualisht) nga meshkujt. S’ka tjetër tekst aty që do implikonte ndonjë uniformë islame për gratë. Shkolla të ndryshme juridike (me këtë patjetër politike) pastaj vepronin deri në ekstrem duke kërkuar Burkat dhe shumëçka tjetër.

Ky ishte edhe arsyetimi i klerit mysliman në ish – Jugosllavi kur pyeteshin për çështjen. Prandaj asnjë klerik apo xhemat nuk shkoi në burg sepse luftonte për të drejtën e grave të mbulojnë kokën institucioneve të shtetit. Nëpër shtëpia siç ishin të mbyllura as që merrej kush me ato. Ashtu siç s’merret sot kush me mbi 90% të grave në shtetet e pjesës lindore, të cilat bëjnë mbi 80% të analfabetizmit botëror. Vullnetarisht?!

III.

Shfaqja e luftës për të drejtën e shamisë në kulturosferën shqiptare u paraqit me rritjen e ndikimit të Turqisë dhe disa shteteve arabe aty. Apo mos shënoi zotëri Koci ndonjë demonstratë paralele para pavarësimit të Kosovës dhe ata që e mbështesin në statusin e tij [3] në këtë drejtim?

Avokati Koci duhet të mbrojë klientët e tij nga ligji – është bukë e tij – por shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojë ligjet nga ai dhe klientët e tij, të cilat nga procesi në proces janë të kategorive të ndryshme: kryesisht si ligjethyes e nganjëherë edhe të tillë që kërkojnë të drejtat e tyre! Kësaj radhe pledoajenë ai e ka bërë për ata që duan t’i përmbysin institucionet sekulare në favor të njërës nga fetë ndër shqiptarë.  Dhe kësaj duhet t’i thuhet jo. Në emër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila nuk lejon sheriatizimin e institucioneve të saja.

[1] Termi katolik është futur në thonjëza ngase është perceptim publik, por ne nuk dimë preferencat e tij fetare. As që na interesojnë, ngase janë private.

[1] Me manifestim nënkuptohet shprehja (demonstrimi) publike e synimeve dhe qëllimeve (kryesisht politike) nga individë dhe grupe të ndryshme brenda një shoqërie.

[2] Kjo është një temë në vete. Për shkak të afërsisë së zotit Koci me mediat ai i instrumentalizon ato bukur për gjenerim të klientëve, çka në vete përmban diskriminimin ndaj avokatëve tjerë që nuk e kanë këtë mundësi të marketingut falë.

[3] Shumica aktivist të njohur e viral virtual të versionit ekstrem të islamit.