Sëmundjet infektive që po qarkullojnë në botë - Gazeta Express

Sëmundjet infektive që po qarkullojnë në botë

Lajme

Gazeta Express

18/06/2021 14:30

Ndërsa beteja kundër koronavirusit vazhdon, sëmundje vdekjeprurëse vazhdojnë të shfaqen në të gjithë globin me një shpejtësi të frikshme.

Rastet e sëmundjeve “zoonotike”, të njohura si infeksione që kalojnë nga kafshët te njerëzit, po rriten ndërsa bota lufton për të mbajtur nën kontroll pandeminë aktuale.

Murtaja e Zezë mban një vend të njohur në histori si një nga epidemitë më shkatërruese të globit. Shpërthimi i fundit i sëmundjes infektive ka ndodhur në maj të këtij viti në provincën Ituri të Republikës Demokratike të Kongos, ku shkaktoi shumë viktima dhe të infektuar. Murtaja, që vrau rreth 75 milionë njerëz në vitet 1300, ka simptomat tipike të një gripi dhe të sprekurit ka të ngjarë të përjetojnë të dridhura, ethe, dhimbje koke, dobësi dhe lodhje.

Lija e majmunëve u zbulua për herë të parë në 1958. Midis rasteve të shumta në të gjithë botën, dy raste janë raportuar kohët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore, dhimbje shpine, nyje limfatike të fryra, dridhura dhe lodhje.

Virusi i Nilit Perëndimor është një sëmundje e përhapur nga pickimet e mushkonjave të infektuara, që u zbulua për herë të parë në rrethin e Nilit Perëndimor të Ugandës në 1937. Rasti i parë i konfirmuar i virusit u gjet tek një burrë në qershor të këtij viti në Sevilje, në Spanjë. Përafërsisht 80% e të sëmurëve nuk kanë simptoma, por disa mund të zhvillojnë simptoma të lehta si gripi, skuqje të lëkurës dhe të përziera. Nëse infeksioni prek rënde organizmin mund të bëjë që pacientët të përjetojnë paralizë.

Gripi i Shpendëve H5N8, i konfirmuar tashmë edhe në Shqipëri, është i përhapur thuajse në të gjithë Evropën. Ai përhapet midis zogjve, por mund të mbartet te njerëzit përmes kontaktit të ngushtë me një kafshë të infektuar. Virusi u identifikua për herë të parë në Kinën Jugore dhe Hong Kong në 1996. Të prekurit përjetojnë ethe, dhimbje të muskujve, kollë, diarre, dhimbje stomaku dhe sëmundje.

Hantavirusi është një familje virusesh që përhapet përmes brejtësve, por që pas kontaktit mund të infektojë edhe njerëzit. Me një normë vdekshmërie prej 38%, rasti i një gruaje nga Michigani që ishte infektuar shkaktoi alarm. Mendohet se ajo ka qenë e ekspozuar ndaj sëmundjes vdekjeprurëse kur pastronte një shtëpi ku kishte minj. Rastet e para të regjistruara njerëzore të hantavirusit u gjetën në ‘Katër Këndet’ në jugperëndim të SHBA-së në 1993.Simptomat e para përfshijnë lodhje, ethe, dhimbje të muskujve, marrje mendsh, të dridhura dhe shqetësime të stomak.

Ethet Lassa është një sëmundje akute virale e shkaktuar nga virusi Lassa, që përhapet zakonisht te njerëzit përmes ekspozimit ndaj ushqimit dhe sendeve të tjera të kontaminuara me urinë ose jashtëqitje të minjve të infektuar Mastomys. Nigeria raportoi 286 raste dhe 58 vdekje të konfirmuara që nga fillimi i këtij viti. Shpesh është e padallueshme nga sëmundjet e tjera si Ebola, ethet e verdha dhe malaria. Rreth 80% e të sëmurëve nuk paraqesin simptoma por një në pesë infeksione rezultojnë në sëmundje të rëndë, pasi virusi depërton në organe të tilla si mëlçia, shpretka dhe veshkat. /A2CNN