Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e shtetasit K.K. (alias O. M, K. M, Z. R, K.Z.) dhe personave të lidhur me të, që dyshohet të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet veprimtarisë kriminale.
Sipas Prokurorisë së Tiranës “në kuadër të hetimeve mbi procedimin të datës 31.07.2025, rezultoi se ky shtetas dhe nëna e tij në pension, kanë veprimtari me origjinë kriminale që lidhet me shtetasin K.K. dhe historikun e tij të mëparshëm kriminal.
“Ai rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, u dokumentua përdorimi i disa identiteteve të ndryshme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës”.
Prokuroria njoftoi më tej se “sipas të dhënave të administruara nga sistemet zyrtare dhe burime të tjera ligjore, u evidentuan pasuri të shumta të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të shtetasit K. K; shtetases F.M., dhe subjektit juridik “Kriol.AL” sh.p.k., me përfaqësues ligjor të njëjtin shtetas”.
Sipas Prokurorisë së Tiranës në total janë vendosur masa sekuestroje preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme, dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj.
“Sekuestrot janë vendosur me qëllim: Parandalimin e tjetërsimit ose përdorimit të këtyre pasurive për qëllime kriminale; Garantimin e ekzekutimit të vendimeve të mundshme gjyqësore mbi konfiskimin e tyre”, njoftoi prokuroria.