Sekretari i NATO-s flet me Kurtin dhe Vuçiqin: Prishtina dhe Beogradi të përmbahen - Gazeta Express
string(81) "sekretari-i-nato-s-flet-me-kurtin-dhe-vuciqin-prishtina-dhe-beogradi-te-permbahen"

Sekretari i NATO-s flet me Kurtin dhe Vuçiqin: Prishtina dhe Beogradi të përmbahen

Lajme

Gazeta Express

26/09/2021 15:04

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jans Stoltenberg njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Stoltenberg tha se është jetike që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen dhe t’i kthehen dialogut, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Bisedova me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për nevojën e de-eksalimit në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje e ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Më herët gjatë të shtunës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dje tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

Lidhur me situatën kanë reaguar edhe liderët opozitarë, të cilët sot janë takuar me kryeministrin Kurti për ta ofruar mbështetjen e tij në mbrojtjen e sovranitetit të vendit.