Më shumë se 10 mijë njerëz ishin vrarë në Sarajevë pas rrethimit nga Ushtria e Republikës Sërpska. Gjatë viteve 1992 deri në 1996, pasanikë të huaj kishin paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar me armë civilët për pikën e qejfit.
Gazetar: Genc Godanci
E një ditë më parë, gazeta britanike “The Telegraph” raportoi se edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është i përfshirë në atë që po quhet “Sarajevo Sniper”.
Siç shihet në videot e publikuara, Vuçiq kishte qenë i pranishëm në njërën prej pozicioneve ushtarake mbi qytet, prej nga edhe u kryen vrasjet.
Madje në një pamje tjetër, shihet presidenti i Serbisë duke mbajtur një pushkë në dorë, pikërisht në kohen dhe vendin ku po dyshohen se u kryen krimet.
E prezenca e tij atje, sipas politikanit serb, Nikolla Sandulloviq, është konfirmuar edhe nga vetë Vojislav Shesheli.
“Shesheli e ka deklaruar hapur të vërtetën se Aleksandar Vuçiç ishte vullnetar në ushtrinë serbe gjatë atyre ngjarjeve dhe se ishte i pranishëm në vendet ku ndodhën të shtënat e civilëve të pafajshëm. Është e pamundur për të si përfaqësues i qeverisë dhe vullnetar serb në atë kohë — të mos e dinte se autoritetet serbe nën Slobodan Millosheviqin po lehtësonin grupet e organizuara që udhëtonin nga Beogradi në Sarajevë dhe ktheheshin mbrapsht”, ka thënë ai për T7.
Përveç politikanëve në Serbi, këtë gjë sipas Sandulloviqit e konfirmojnë edhe shumë dëshmitarë tjerë okular.
“Kemi gjithashtu deklarata nga individë që nuk kanë më frikë të flasin hapur nëse Aleksandar Vuçiç ishte i pranishëm atje dhe me çfarë motivesh ishte atje. Është e qartë se ai ishte me të vërtetë i pranishëm. Por për të përcaktuar se sa kohë qëndroi atje, në çfarë cilësie dhe çfarë bëri saktësisht, duhet të pyesim dëshmitarët – dëshmitarë serbë, dëshmitarë serbë të Bosnjës dhe dëshmitarë të huaj që ishin të pranishëm në vendngjarje”, ka shtuar ai.
Sandulloviq jep edhe detaje lidhur me vrasjet që snajperitët i kryen dhe përfshirjen e qeverisë së Serbisë atje.
“Ne e dimë që rrethimi i Sarajevës filloi në vitin 1993 dhe zgjati pothuajse dy vjet të plota, dhe se pati mbi 200 udhëtime të organizuara — me helikopter, autobus dhe automjete private — nga Beogradi në zonat ku po sulmoheshin civilët. Ne kemi deklarata dëshmitarësh që përshkruajnë “listën e çmimeve” të vrasjeve, duke përfshirë “shpërblimin” më të lartë për të shtënë në një fëmijë — veçanërisht një nënë që mbante një fëmijë ose një nënë që përpiqej të ikte nga zjarri i snajperëve”, shprehet Sandulloviq.
Për krejt këto, Sandulloviq bën thirrje tek komuniteti ndërkombëtar që ta mbajnë përgjegjës presidentin e Serbisë./Express/