Ndikuar nga kriza energjetike, familjet shqiptare nuk do ta paguajnë njësoj çmimin e energjisë. Qeveria ka nisur punën për kategorizimin e “familjeve të pasura”.
Madje ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku deklaroi sot në Kuvend se diferencimi në çmim u është kërkuar nga qytetarët shqiptarë.
Pyetja që shtrohet me të drejtë gjatë këtyre ditëve është se si do të bëhet ky diferencim. Gjithçka varet nga fatura që qytetarëve iu shkon çdo muaj në banesë.
Sipas skemës së qeverisë, abonentët që kalojnë 700 kilovat të harxhuar në muaj do të paguajnë më shumë. Për qytetarët poshtë kësaj fashe çmimi i energjisë është 9.5 lekë, ndërsa sasia sipër këtij niveli është 13.5 lekë.
Sipas përllogaritjeve çdo familje që harxhon gjatë një muaji më shumë se 7089 lekë do të paguajë më shtrenjtë çmimin e energjisë.