Nga standardet e BBC-së te standardi i bindjes ndaj Albin Kurtit.
Shkruan: Baton Haxhiu
Në verën e vitit 1999, kur Kosova po dilte nga lufta dhe institucionet e para të shtetit të ardhshëm po ndërtoheshin pothuajse nga hiçi, askush nuk mendonte se televizioni publik do të bëhej një nga institucionet më të rëndësishme të republikës së ardhshme. Shumica e njerëzve shihnin vetëm antenat, kamerat, studiot dhe transmetimet. Ata që ishin brenda e dinin se po ndërtohej diçka shumë më e madhe se një televizion. Po ndërtohej kultura institucionale e një shteti që ende nuk ekzistonte.
E pata privilegjin ta përjetoja atë periudhë si anëtar i Bordit të parë të RTK-së. Për këtë arsye, konkursin e sotëm nuk mund ta shoh vetëm si një procedurë administrative. Për mua, ai është fundi ose rilindja e një historie që filloi njëzet e shtatë vjet më parë.
BBC nuk erdhi në Kosovë vetëm për të ngritur një televizion. Ajo solli filozofinë e transmetuesit publik. Solli bindjen se televizioni nuk është pronë e qeverisë, nuk është instrument i opozitës dhe nuk është megafon i partive politike. Ai ekziston vetëm për qytetarin. Për atë qytetar që ka të drejtë të informohet, të dëgjojë mendime të ndryshme, të sfidojë pushtetin dhe të mos ndihet kurrë se po shikon televizionin e qeverisë së radhës.
Britanikët investuan më shumë te njerëzit sesa te pajisjet. Gazetarët, redaktorët, producentët dhe drejtuesit kaluan nëpër një proces trajnimi që nuk kishte të bënte vetëm me teknikën televizive. Ata mësonin etikën e profesionit, mënyrën e funksionimit të redaksisë, raportin me pushtetin dhe kufirin që nuk duhet kaluar kurrë nga një medium publik.
Japonia solli teknologjinë më moderne të kohës. OSBE-ja garantonte jo vetëm organizimin institucional, por edhe pavarësinë e tij. Sa herë politika përpiqej të hynte në RTK, reagimi i OSBE-së ishte i menjëhershëm. Ishte një mburojë e vazhdueshme ndaj çdo tentative për ta shndërruar RTK-në në televizion të qeverisë.
Këto nuk ishin vetëm procedura. Ishte një filozofi.
Në atë kohë nuk diskutohej se cila parti do ta kontrollonte televizionin. Diskutohej se si televizioni nuk duhej të kontrollohej nga askush.
Ky ishte themeli mbi të cilin u ngrit RTK-ja.
Pikërisht për këtë arsye, për shumë vite, RTK ishte ndoshta eksperimenti më serioz i ndërtimit të një transmetuesi publik në gjithë Ballkanin Perëndimor. Natyrisht që kishte gabime. Natyrisht që kishte ndërhyrje. Natyrisht që kishte tensione politike. Por ekzistonte një kufi moral dhe profesional që askush nuk guxonte ta shkelte. Gazetari nuk duhej të pyeste kënaqshëm. Redaktori nuk duhej të mendonte partiakisht. Drejtori nuk duhej të ishte njeri i pushtetit.
Ky koncept funksionoi për një kohë të gjatë.
Pastaj filloi të ndryshojë.
Rreth vitit 2011 filloi një proces që nuk dukej menjëherë në ekran, por ndihej në korridore. Partitë politike nuk e shikonin më RTK-në si një institucion që duhej mbrojtur. Filluan ta shikonin si një institucion që duhej administruar sipas interesave të tyre. Lufta nuk zhvillohej më për përmbajtjen programore. Lufta zhvillohej për katër karrige.
Drejtori i përgjithshëm.
Drejtori i televizionit.
Drejtori i radios.
Dhe drejtori i financave.
Çdo cikël politik prodhonte të njëjtën betejë. Kush do t’i merrte këto katër poste? Kush do ta kishte ndikimin më të madh? Kush do ta kontrollonte administrimin? Kjo ishte logjika që filloi ta zëvendësonte logjikën e transmetuesit publik.
Megjithatë, duhet të jemi të drejtë me historinë.
Edhe në ato vite, RTK nuk u rrëzua menjëherë. Brenda institucionit vazhdonin të ekzistonin gazetarë, redaktorë dhe drejtues që e kuptonin profesionin. Ata e mbanin gjallë standardin edhe kur politika përpiqej ta ulte. Pikërisht për këtë arsye, në shumë segmente, sidomos pas vitit 2015, RTK vazhdonte të konsiderohej një model relativisht serioz i transmetuesit publik në rajon. Nuk ishte më RTK-ja ideale e vitit 1999, por ende kishte kujtesë institucionale. Ende kishte njerëz që e dinin çfarë ishte televizioni.
Pastaj ndodhi ndryshimi më i madh.
Nuk ndryshuan vetëm njerëzit.
Ndryshoi koncepti.
Me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, sipas bindjes sime, u përplasën dy filozofi krejtësisht të ndryshme. Nga njëra anë ishte ideja klasike evropiane e transmetuesit publik, e ndërtuar mbi autonominë editoriale dhe mbi distancën nga pushteti. Nga ana tjetër ishte një kulturë politike që e kishte ndërtuar gjithë fuqinë e saj përmes komunikimit politik, rrjeteve sociale dhe propagandës mobilizuese. Janë dy botë që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.
Komunikimi politik ka një qëllim.
Ta bindë qytetarin.
Gazetaria publike ka një tjetër.
Ta informojë qytetarin, edhe kur informacioni nuk i pëlqen pushtetit.
Propaganda kërkon besnikëri.
Gazetaria kërkon dyshim.
Propaganda ndërton narrativw.
Gazetaria ndërton pyetje.
Këto janë dy universe të ndryshme.
Për këtë arsye, nuk besoj se problemi kryesor i RTK-së sot është një individ apo një konkurs.
Problemi është se pushteti nuk e sheh më transmetuesin publik si një institucion që duhet të jetë kritik ndaj tij. Ai e sheh si pjesë të mekanizmit të komunikimit shtetëror.
Kjo është arsyeja pse konkursi i sotëm nuk është thjesht konkurs për drejtor të televizionit.
Është konkurs për të përcaktuar nëse RTK do të vazhdojë të udhëhiqet nga filozofia mbi të cilën u ndërtua në vitin 1999, apo nga filozofia që e konsideron televizionin publik një hallkë të administrimit politik.
Dhe pikërisht këtu fillon shqetësimi im më i madh.
Sepse nuk kam përshtypjen se po kërkohet një reformator.
Kam përshtypjen se po kërkohet një administrator.
Në këtë pikë hyn një problem tjetër, ndoshta edhe më i madh se vetë konkursi. Ai fillon me Bordin e RTK-së. Në çdo transmetues serioz publik në Evropë, bordi nuk është një organ formal që mblidhet për të votuar emra. Ai është institucioni që mbron filozofinë e mediumit. Bordi nuk duhet të dijë vetëm ligjin. Nuk duhet të dijë vetëm administrimin.
Ai duhet të kuptojë gazetarinë, zhvillimin e televizionit, ndryshimin e audiencës, transformimin digjital, raportin midis televizionit linear dhe platformave të reja, mënyrën se si ndërtohet një skemë programore dhe, mbi të gjitha, duhet ta dijë se çfarë është një transmetues publik në shekullin XXI.
Pikërisht këtu fillon boshllëku më i madh.
Sot RTK ka një Bord që, me një përjashtim të rëndësishëm, nuk bart mbi vete peshën profesionale që kërkon një institucion i tillë. Fatmir Podrimja është një emër që për dekada është identifikuar me radion publike, me kulturën e mikrofonit, me profesionalizmin e spikerit dhe me një përvojë që askush nuk mund t’ia mohojë. Ai e njeh median nga brenda. E njeh disiplinën profesionale. E njeh peshën e fjalës dhe përgjegjësinë që ka një transmetues publik.
Por një institucion nuk ndërtohet mbi një njeri.
Pjesa tjetër e Bordit nuk sjell një histori profesionale që ta bindë opinionin se është në gjendje të marrë vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e RTK-së. Nuk po flas për integritetin e askujt. Nuk po flas për karakterin personal të askujt. Po flas për kapitalin profesional që duhet të ketë një bord i transmetuesit publik.
Sepse nuk mund të zgjedhësh një drejtor televiziv modern nëse nuk e kupton vetë se çfarë është televizioni modern.
Nuk mund të vlerësosh një strategji editoriale nëse nuk ke ndërtuar kurrë një strategji editoriale.
Nuk mund të gjykosh një vizion programor nëse nuk e ke ndërtuar kurrë një program televiziv.
Dhe nuk mund ta reformosh një institucion që nuk e njeh.
Ky është problemi themelor.
Në çdo konkurs serioz nuk matet vetëm kandidati. Matet edhe ai që e interviston kandidatin. Nëse komisioni nuk është më i ditur se kandidati, atëherë konkursi nuk prodhon përzgjedhje. Prodhon vetëm formalitet.
Kjo është arsyeja pse nuk kam frikë nga emrat që konkurrojnë.
Kam frikë nga niveli i atyre që duhet të bëjnë dallimin midis një reformatori dhe një administratori.
Dhe pikërisht këtu lidhet edhe kandidatura e Zana Spahiut.
Nuk kam asgjë personale me të. Nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Çdo qytetar ka të drejtë të konkurrojë për një funksion publik. Por konkursi nuk është për të plotësuar të drejtën e kandidimit. Konkursi është për të gjetur njeriun më të mirë për një institucion që ka humbur drejtimin.
Pikërisht për këtë arsye, kandidatura e saj duhet parë si pjesë e një modeli dhe jo si histori individuale.
Nga ajo që shihet deri më sot, nuk krijohet përshtypja se pushteti po kërkon një figurë që do ta tronditë RTK-në, që do të përplasë tavolinat, që do të kërkojë reformimin e skemës programore, që do të ndryshojë strukturën editoriale dhe që do të ndërtojë një standard të ri profesional.
Përkundrazi.
Gjithçka të çon te ideja se po kërkohet një administrator i qetë, një menaxher burokratik që nuk krijon tensione politike dhe që nuk prodhon surpriza.
Ky është ndryshimi mes një administratori dhe një drejtuesi.
Administratori pyet si mbahet institucioni në këmbë.
Reformatori pyet pse institucioni nuk po ecën. Administratori kujdeset për procedurat. Reformatori kujdeset për misionin. Administratori ruan ekuilibrat.
Reformatori prish ekuilibrat e rremë për të krijuar standarde të reja. RTK-së sot nuk i mungon administrata. I mungon vizioni.
Nëse dikush do të hynte nesër në zyrën e drejtorit me seriozitetin që kërkon ky institucion, vendimi i parë nuk do të ishte ndryshimi i njerëzve. Do të ishte ndryshimi i filozofisë.
Do të pyeste fillimisht pse publiku nuk e zgjedh më RTK-në si destinacionin e parë të informacionit.
Pse emisionet nuk krijojnë më debat publik. Pse televizioni nuk prodhon më autoritet. Pse gazetari nuk është më figurë publike. Pse redaktori është zhdukur. Pse producenti është reduktuar në organizator.
Pse drejtori është bërë administrator.
Dhe vetëm pasi t’u përgjigjej këtyre pyetjeve do të fillonte reforma.
Sot ndodh e kundërta.
Fillimisht zgjidhet administratori.
Pastaj kërkohet që ai ta justifikojë administrimin me ndonjë reformë të vogël kozmetike. Por televizioni nuk ndryshon me kozmetikë.
Ai ndryshon vetëm kur ndryshon mënyra e të menduarit. Dhe pikërisht këtu fillon drama e RTK-së së sotme.
Sepse degradimi nuk shihet vetëm në vendimet e Bordit. Ai shihet çdo ditë në ekran. Ai shihet në mënyrën se si fillon mëngjesi.
Në mënyrën se si ndërtohet dita. Në mënyrën se si mbyllet mbrëmja.
Mjafton ta shikosh RTK-në për një ditë të vetme dhe e kupton se problemi nuk është një emision i dobët.
Problemi është mungesa e një mendjeje që e ka projektuar të gjithë televizionin.
Dhe pikërisht aty ku duhej të fillonte reforma, filloi dorëzimi.
Sepse televizioni nuk degradohet ditën kur emërohet një drejtor i dobët. As ditën kur zgjidhet një bord i dobët. Ai degradohet shumë më herët, në momentin kur humbet idenë se çfarë televizioni dëshiron të jetë. Që nga ai moment, çdo vendim tjetër është vetëm pasojë.
Mjafton të kalosh një ditë të zakonshme para ekranit të RTK-së dhe të kuptosh se nuk je përballë një transmetuesi publik që udhëhiqet nga një filozofi programore. Je përballë një institucioni që duket sikur çdo ditë përpiqet vetëm ta mbushë orarin.
Dita fillon me programin e mëngjesit. Dikur programi i mëngjesit ishte karta e parë e identitetit të një televizioni. Ai përcaktonte ritmin e gjithë ditës. Tregonte kulturën e moderimit, nivelin e gazetarëve, elegancën e komunikimit dhe mënyrën se si televizioni e kuptonte publikun e vet.
Sot, në RTK, programi i mëngjesit shpesh duket si një bisedë që mund të zhvillohej kudo, por jo domosdoshmërisht në transmetuesin publik të Kosovës. Mungon ritmi, mungon dinamika, mungon përgatitja dhe, mbi të gjitha, mungon ai autoritet televiziv që e bën shikuesin të ndalet para ekranit.
Problemi nuk është vetëm moderatori.
Problemi është se askush nuk duket se i ka bërë vetes pyetjen më elementare: çfarë duhet të jetë programi i mëngjesit i RTK-së në vitin 2026?
Pas tij vjen pjesa tjetër e skemës. Dhe aty fillon një udhëtim edhe më i çuditshëm. Emisionet nuk lidhen me njëri-tjetrin. Nuk krijojnë vazhdimësi. Nuk ndërtojnë identitet. Nuk të japin ndjesinë se dikush e ka menduar ditën televizive si një rrëfim të vetëm. Janë programe të vendosura pranë njëra-tjetrës, por jo të ndërtuara mbi një ide të përbashkët.
Një televizion publik nuk është supermarket, ku çdo raft mbushet me çfarë të gjendet. Ai është një organizëm.
Çdo emision duhet ta ushqejë tjetrin.
Çdo termin duhet të ketë një arsye.
Çdo fytyrë duhet të ketë një funksion.
Sot kjo mungon.
Dhe kur mungon filozofia, fillon improvizimi.
Në ekran shfaqen fytyra që nuk janë rritur në kulturën televizive. Shfaqen moderatorë që nuk e mbajnë ekranin, sepse askush nuk ua ka mësuar se televizioni nuk është vetëm të flasësh. Është ritëm. Është prani. Është kulturë e komunikimit. Është gjuhë. Është estetikë. Është aftësia për ta bërë publikun të qëndrojë para ekranit edhe kur tema nuk është e jashtëzakonshme.
Një pjesë e madhe e këtij brezi nuk janë fajtorë.
Ata janë produkt i një sistemi që ka pushuar së prodhuari televizion.
Në vend që RTK të prodhojë figura televizive, sot duket sikur prodhon vetëm zëvendësues. Nuk ndërton personalitete editoriale. Nuk ndërton autoritet. Nuk ndërton shkollë. Dhe kjo është tragjedia më e madhe e një transmetuesi publik.
Edhe gjuha televizive ka ndryshuar.
Dikur, hyrja në RTK ishte edhe hyrje në një kulturë të caktuar të shqipes. Gazetari mësonte si ndërtohej fjalia. Si ndërtohej pyetja. Si ndërtohej një kronikë. Redaktori ishte institucion. Ai nuk korrigjonte vetëm drejtshkrimin. Ai formonte gazetarin.
Sot dëgjon një fjalor që shpesh nuk ka as elegancë televizive, as disiplinë profesionale dhe as kujdes për publikun. Nuk është çështje dialekti. Nuk është çështje stili. Është çështje standardi.
Kur humbet standardi i gjuhës, zakonisht ke humbur edhe standardin e mendimit.
Po aq e varfër është edhe estetika televizive. Skenografitë janë pa karakter. Grafika është pa identitet. Ritmi i realizimit duket sikur i përket një epoke kur televizioni nuk kishte konkurrencë dhe publiku nuk kishte zgjidhje tjetër. Sot publiku ka qindra kanale, platforma dhe rrjete sociale. Ai nuk pret RTK-në. RTK duhet ta bindë publikun që të ndalet tek ajo.
Por si mund ta bëjë këtë një televizion që ende sillet sikur jeton në vitet shtatëdhjetë?
Skema programore shpesh të krijon ndjesinë se nuk është ndërtuar për shikuesin. Është ndërtuar për administratën.
Që të kalojë dita. Që të plotësohet orari.
Që të mbyllet transmetimi.
Kjo nuk është filozofi televizive.
Kjo është menaxhim i kohës.
Dhe kur televizioni fillon të menaxhojë kohën në vend që të krijojë përmbajtje, ai ka hyrë në fazën e degradimit.
Një nga shembujt më simbolikë të kësaj ishte mënyra se si u menaxhua Kampionati Botëror i Futbollit. Shteti investoi që qytetarët ta ndiqnin ngjarjen më të madhe sportive në botë përmes RTK-së dhe Valës. Ishte një moment që mund ta afronte publikun me transmetuesin kombëtar. Por një pjesë e qytetarëve mbetën përballë problemeve teknike, mungesës së përgatitjes dhe një organizimi që nuk ishte në lartësinë e investimit të bërë.
Nuk ishte vetëm një problem teknik.
Ishte metafora më e mirë e RTK-së së sotme. Institucioni arrin ta blejë ngjarjen.
Por nuk arrin t’ia ofrojë publikut ashtu siç duhet. Sepse nuk mjafton të kesh të drejtat.
Duhet të kesh edhe kulturën profesionale për t’i administruar ato.
Dhe pikërisht këtu fillon të kuptosh se degradimi nuk është më rastësi.
Është bërë sistem.
Në gjithë këtë histori ka një ironi që nuk mund të mos vihet re.
Një pjesë e brezit politik që sot qeveris Kosovën u rrit duke e luftuar RTK-në. Në vitet e opozitës, transmetuesi publik konsiderohej simbol i kapjes politike, i ndikimit të pushtetit dhe i mungesës së pluralizmit. Kritikat ishin të ashpra dhe shpesh të drejta. Kërkohej një RTK e pavarur, kritike dhe e çliruar nga politika.
Sot, pas kaq vitesh në pushtet, nuk po ndërtohet një RTK më e lirë.
Po ndërtohet një RTK më e bindur.
Ky është paradoksi.
Sepse pushteti ndryshon, por tundimi për ta pasur televizionin pranë vetes mbetet gjithmonë i njëjtë.
E kam kujtuar shpesh një episod nga vitet e para të pasluftës.
Albin Kurti kishte emisionin e tij në RTK, “Me Albinin”. Ishte dhuratë që ia bënë Adem Demaçi dhe Agim Zatriqi, si moment empatie ndaj një njeriu që sapo ishte kthyer nga burgu.
Ishte një format që i jepte hapësirë të fliste gjatë (si hoxha Shefqet Krasniqi sot), të shtjellonte idetë e tij dhe ta ndërtonte rrëfimin sipas logjikës së vet politike. Nuk ishte as emision, por ishte monolog klasik antigazetaresk. Ishte më shumë një tribunë mendimi sesa një intervistë e ndërtuar mbi pyetje të vështira dhe kundërshti.
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë si fakt historik.
Problemi lind kur ajo logjikë fillon të bëhet filozofi institucionale.
Kur transmetuesi publik nuk ndërton më hapësira ku pushteti vihet në provë, por hapësira ku pushteti ndihet rehat.
Kur gazetari nuk hyn në studio për të kërkuar përgjigje, por për të administruar përgjigjet.
Kur drejtori nuk matet me guximin për t’u rezistuar telefonatave, por me aftësinë për të mos krijuar telashe.
Në atë moment nuk kemi më degradim programor.
Kemi degradim institucional.
Dhe degradimi institucional është shumë më i rrezikshëm se një emision i dobët apo një moderator i papërgatitur.
Sepse emisionet ndërrohen. Moderatorët largohen. Edhe drejtorët zëvendësohen.
Por kultura institucionale, sapo prishet, kërkon dekada për t’u rindërtuar.
Prandaj konkursi i sotëm nuk ka të bëjë vetëm me një emër.
Nuk ka të bëjë vetëm me Zana Spahiun.
Ajo është vetëm një pjesë e këtij rrëfimi.
Pyetja e vërtetë është shumë më e madhe.
A dëshiron Kosova ende një transmetues publik?
Jo një televizion shtetëror.
Jo një televizion qeveritar.
Jo një televizion të opozitës.
Por një institucion që e mbron qytetarin edhe nga qeveria, edhe nga opozita.
Sepse kjo ishte arsyeja pse BBC erdhi në Kosovë në vitin 1999.
Kjo ishte arsyeja pse OSBE-ja e mbronte RTK-në nga ndërhyrjet politike.
Kjo ishte arsyeja pse u investuan miliona euro në teknologji, në trajnim dhe në ndërtimin e një kulture profesionale.
Jo për të krijuar një administratë, por për të krijuar një institucion.
Nëse sot konkursi përfundon me zgjedhjen e një administratori të bindur në vend të një reformatori të guximshëm, atëherë nuk do të kemi humbur vetëm një konkurs.
Do të humbim edhe një pjesë të idesë mbi të cilën u ndërtua RTK-ja.
Dhe kjo është humbja më e madhe.
Sepse një transmetues publik nuk vdes ditën kur i bien shikuesit.
Ai vdes ditën kur pushon së besuari se detyra e tij është t’i shërbejë publikut dhe jo pushtetit.
Atë ditë nuk humbet vetëm RTK-ja.
Humb një pjesë të demokracisë së Kosovës.