Rreth 1.500 kilometra larg Lionit, Rijad Grajqevci e jeton dashurinë e tij për OL nga Kosova - Gazeta Express
string(91) "rreth-1-500-kilometra-larg-lionit-rijad-grajqevci-e-jeton-dashurine-e-tij-per-ol-nga-kosova"

Sport

Gazeta Express

03/06/2026 10:58

Rreth 1.500 kilometra larg Lionit, Rijad Grajqevci e jeton dashurinë e tij për OL nga Kosova

Sport

Gazeta Express

03/06/2026 10:58

Shpesh thuhet se tifozët e Lyonit gjenden në çdo cep të botës.

Përveç Francës, ata mund të gjenden edhe në Senegal, Kanada apo Kosovë.

Njëri prej tyre është Rijad Grajqevci, një kosovar i lindur në vitin 1997, i cili prej më shumë se një dekade e ndjek me pasion klubin francez.

Historia e tij me Olympique Lyonnais nisi krejt rastësisht gjatë një mbrëmjeje të Ligës së Kampionëve në vitin 2010.

Ai kujton se para kësaj periudhe ndiqte kryesisht futbollin italian, veçanërisht AC Milanin, shkruan faqja zyrtare e Lyonit, përcjell “Gazeta Express”.

“Gjithçka nisi spontanisht. Ndeshja çerekfinale e Ligës së Kampionëve mes Lyonit dhe Bordeaux, e transmetuar në RTK, ishte momenti që më bëri ta zbuloja identitetin e këtij klubi. Lyoni fitoi 3-1 dhe ajo ndeshje la gjurmë tek unë”, tregon Grajqevci.

Ai u mahnit nga cilësia e skuadrës së asaj kohe, ku bënin pjesë emra si Lisandro López, Hugo Lloris, Michel Bastos, Miralem Pjanić dhe Cris.

“Ishte një ekip me shpirt kolektiv, me intensitet dhe emocion të veçantë. Kjo më preku menjëherë”, shprehet ai.

Sot, ndërsa po i përfundon studimet master pasi ka diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Franceze në Prishtinë, Rijadi e pranon se pasioni për Lyonin nuk është gjithmonë i lehtë për t’u jetuar nga larg.

“Gjithmonë ekziston frustrimi që nuk mund të jem rregullisht në stadium. Megjithatë, kjo distancë i jep një dimension të veçantë përkushtimit tonë”, thotë ai.

Gjatë viteve ai ka grumbulluar shumë kujtime të lidhura me klubin francez.

Mes tyre e veçon triumfin në Kupën e Francës dhe Trophée des Champions në vitin 2012, si dhe rrugëtimin në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munich dhe Ajax.

Një nga momentet më të veçanta ishte finalja e Kupës së Francës në Lille, ku udhëtoi rreth 1.500 kilometra për ta mbështetur ekipin e zemrës.

“Pavarësisht humbjes nga PSG-ja, ajo eksperiencë mbetet shumë e rëndësishme për mua”, tregon ai.

Rijadi e pati mundësinë ta vizitonte edhe stadiumin e Lyonit gjatë fitores ndaj Marseille më 4 shkurt 2024, një rrugëtim i gjatë për dikë që dikur i ndiqte ndeshjet nga internet-kafetë, me mundësi të kufizuara financiare.

Përkushtimi i tij ndaj klubit u rrit edhe më shumë në vitin 2014, kur e themeloi faqen “OL – Shqip”, ku publikonte lajme dhe përmbajtje rreth Lyonit në gjuhën shqipe.

“Qëllimi ishte ta krijonim një hapësirë për tifozët e Lyonit në Kosovë. Në atë kohë ishte shumë e vështirë të gjeje tifozë të tjerë të këtij klubi në rajonin tonë”, shpjegon ai.

Më vonë, së bashku me mikun e tij Gramos Pylla, e krijuan grupin që në vitin 2021 u njoh zyrtarisht si fan-klub i Olympique Lyonnais.

Sot, grupi numëron rreth dhjetë anëtarë aktivë, disa prej të cilëve jetojnë edhe në Lyon.

Ata organizojnë takime dhe aktivitete gjatë ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, duke u mbledhur shpesh në Prishtinë për ta ndjekur së bashku ekipin e tyre të preferuar.

Për Rijad Grajqevcin, kjo histori është dëshmi se futbolli është universal dhe e ka fuqinë të bashkojë njerëz që ndodhen mijëra kilometra larg njëri-tjetrit.

Përveç kësaj, ai e administron prej vitit 2014 edhe faqen në Facebook “Les Fans de l’OL”, e cila ndiqet nga më shumë se 43 mijë persona.

Synimi i tij afatgjatë është ta zhvillojë më tej këtë projekt dhe një ditë ta ketë mundësinë të akreditohet zyrtarisht në stadium si media. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement