Deputeti i PDK’së, Kujtim Gashi, ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, për një segment të autostradës “Ibrahim Rugova”, në pjesën mes Prizrenit dhe Suharekës ku qe një kohë të gjatë ka rrëshqitur dheu dhe lëvizja është kufizuar me vetëm një shirit.
Në këtë segment të autostradës ka pasë edhe aksidente me fatalitet, prandaj deputeti Gashi tha se kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë.
Ai tha se mungesa e investimeve në autostradë ka shkaktuar vështirësi për pjesëmarrësit në trafik duke shkaktuar edhe aksidente me pasoja fatale në këtë segment “çka e bën edhe më urgjente nevojën për ndërhyrje”.
“Pse nuk është ndërmarrë ende një ndërhyrje e plotë dhe e qëndrueshme për sanimin e rrëshqitjes së dheut në këtë segment të autostradës. A ekziston një plan konkret për rehabilitimin e kësaj pjese dhe kur pritet të fillojnë punimet, si dhe është bërë ndonjë vlerësim teknik për shkaqet e kësaj rrëshqitje të vazhdueshme që tash është problem për një kohë të gjatë në këtë pjesë të autostradës?”.
Në përgjigje të kësaj pyetje, ministri Basha tha se “është shqetësim jashtëzakonisht i madh edhe si kosto edhe si rrezik për qytetarët”, ndërsa vazhdoi të tregojë se ku qëndron procedura.
“Ka pasë zhvillime të shumta. Në fillim të 2024-ës ka nisë procedurat për prokurimin e hartimit të projektit për sanimin e rrëshqitjeve në autostradën “Ibrahim Rugova””, shpjegoi Basha.
Por, me këtë përgjigje s’u nda i kënaqur Gashi, i cili i kërkoi urgjencë për të ndërhyrë, ndërsa përmendi edhe përgjegjësinë penale për mirëmbajtësit e autostradës.
“E potencove disa herë që jemi në procedurë. Por, kjo çështja është urgjente meqë kemi aksidente me fatalitet në disa raste në këtë autostradë. Sigurisht që rrëshqitja është duke vazhduar dhe natyrisht që procedurat ashtu siç dihet të bëhen në disa raste urgjente dhe të shpejta sigurisht që duhet me qenë prioritet në këtë autostradë, që është nyja kryesore që lidh Kosovën edhe me portin. Prandaj, ndërhyrja duhet të jetë urgjente dhe s’duhet me pasë shumë justifikime në kuptimin që procedurat mund të vonojnë sepse rastet me fatalitet mund të kërkojnë përgjegjësi penale për mirëmbajtësit e autostradës”, tha Gashi.
Në këtë pjesë të autostradës dhjetorin e vitit të kaluar humbën jetën dy gra, shtetase të Shqipërisë, pasi me veturën e tyre u ndeshen me një kamion./Express/
Shell Kosova ka nisur një lojë shpërblyese që i kthen postimet në Instagram në mundësi reale për fitim. Me #ShellKosova...