Ylli brazilian i Real Madridit, Rodrygo Goes, përballet me një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij, teksa merkatoja e verës afrohet dhe trajneri i ri Xabi Alonso merr drejtimin e skuadrës.
Sezoni 2024/25 nuk ka qenë i lehtë për sulmuesin 24-vjeçar, sidomos pas fillimit të vitit 2025, ku ai ka arritur të shënojë vetëm një gol dhe të asistojë tre herë që nga shkurti. Forma e dobët ka ngritur shqetësime brenda klubit, duke nxitur spekulime për një shitje të mundshme gjatë verës.
Megjithatë, sipas Marca, Rodrygo ka zhvilluar tashmë një bisedë me Xabi Alonson para udhëtimit për Kupën e Botës për Klube në SHBA, ku i ka bërë të qartë trajnerit të ri se dëshiron të qëndrojë në Madrid. Ai gjithashtu ka informuar presidentin Florentino Pérez dhe drejtorin José Ángel Sánchez për vendimin e tij për të mos u larguar këtë verë.
Ish-sulmuesi i Santos ka pranuar se ka pasur dyshime për rolin e tij në fazën finale të sezonit, por mbetet i përkushtuar ndaj Real Madridit. E ardhmja e tij, gjithsesi, mund të vihet në pikëpyetje pas Kupës së Botës për Klube, nëse nuk arrin të bindë Alonson për vendin e tij në formacion.
Nga ana tjetër, Arsenal nuk ka hequr dorë. Trajneri Mikel Arteta kërkon një përforcim të madh në sulm dhe është gati të testojë Real Madridin me një ofertë prej 70 milionë funte për Rodrygon. Shok skuadre i Rodrygos në Kombëtaren e Brazilit, Gabriel Magalhães, ka shprehur publikisht dëshirën për ta pasur atë në Londër.
“Nuk e di. Do të më pëlqente, por kush e di? Për mua, Rodrygo është një fenomen,” tha mbrojtësi i Arsenalit për podcastin Podpah, duke shtuar: “Po të varej nga unë, do ta nënshkruaja menjëherë.”
Nëse Rodrygo nuk arrin të rifitojë besimin e plotë të trajnerit të ri, verën e këtij viti mund të jetë më e turbullt sesa parashikohet për të.